Shtëpia e fëmijës shkollor në Shkodër, e përfshirë në një skandal keqtrajtimesh e abuzimesh, vazhdon të jetë në qendër të denoncimeve publike nga ish-rezidentë në këtë institucion.
Spartak Sofia ka jetuar në këtë institucion deri në vitin 2008 dhe tregon abuzimet që ka përjetuar në ato vite. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shekulli”, Spartak Sofia rrëfen se si ai dhe fëmijë të tjerë futeshin në një ambient të veçantë të këtij institucioni që shërbente si infermieri dhe aty ndëshkoheshin nga kujdestarët. Sofia rrëfen se në jo pak raste, fëmijët gjakoseshin dhe më pas mjekoheshin dhe merreshin me të mirë ose u bëhej presion të mos tregonin. Dëmtimet që shkaktonin plagë, shenjën një prej të cilave ai e ka akoma në trup, paraqiteshin si rrëzime pasi nuk mbuloheshin dot, sepse duhej të dërgoheshin në spital për tu mjekuar.
Ju keni qenë banor rezidencial në shtëpinë e fëmijës shkollor në Shkodër. A ka patur raste dhune apo keqtrajtimi në vitet kur keni jetuar aty?
Unë kam shkuar aty që kur mbusha moshën dhe fillova shkollën pasi më parë jam trajtuar në befotrof dhe në shtëpinë e fëmijës shkollor. Kam qëndruar aty deri në 14 vjeç. Dhuna dhe keqtrajtimet kanë qenë të vazhdueshme dhe të pranishme. Kjo ndodhte sa herë bënim ndonjë sherr, qoftë dhe të vogël, pasi rrahjet ishin të zakonshme. Kur them rrahjet nuk kam parasysh goditjet me shuplakë, pasi këto ishin të zakonshme, por rrahjet me shkop fshese, që kanë qenë prej druri.
Si dhe ku ndodhte kjo dhe a merreshin masa për të ndëshkuar ato që ju godisnin?
Në katin e parë ka qenë një ambient që përdoret si shtëpi familje me disa shkallë dhe një korridor të ngushtë. Në fund ishte një dhomë që shërbente si infermieri. Kujdestaret na dërgonin aty dhe na rrihnin, pastaj na mjekonin. Kjo i fshihej drejtuesve. Në kohën time drejtori ka qenë shumë i mirë dhe i përkushtuar, por gjithçka ndodhte kur nuk ishte aty, pasdite, në mbrëmje ose në mëngjes. Unë vetë jam goditur me shkop, jam gjakosur dhe ajo që më goditi, së bashku me të tjerë, më dërguan në spital për të më qepur në kokë, pasi nuk më ndalej gjaku dhe plaga ishte e thellë. Kam qenë në klasën e tretë kur ka ndodhur kjo dhe akoma sot e kam shenjën në kokë (e tregon atë) .
Cili ishte shkaku? Po pas kësaj çfarë ndodhi?
Shkaku ishte se kisha bërë pis krevatin dhe prandaj më dërguan tek dhoma dhe kujdestarja më rrahu me shkopin e fshesës. U çava në pjesën e djathtë të kokës dhe më dilte shumë gjak. Më dërguan në spital dhe më qepën. Si mjekëve ashtu dhe drejtorit i thanë se isha rrëzuar, ndërsa mua më porositën të mos tregoja të vërtetën se do ta pësoja më keq. Atë ditë më trajtuan më mirë duke më dhënë ushqim të zgjedhur, pasi isha i sëmurë.
A kujtoni raste tjera keqtrajtimesh apo abuzimesh gjatë viteve që ju keni jetuar aty?
Po ka patur dhe dëmtime më të rënda, i kemi patur unë, dy djem e një vajzë. Bëhet fjalë për dëmtime në kokë që kanë sjellë pasoja, sidomos tek tre të tjerët, pasi unë isha i dëmtuari më i lehtë edhe pse akoma sot e kam shenjën e qepjes. Kur na godisnin kokës kishte pasoja më të rënda se goditjet në trup ishin të përhershme dhe nuk na bënin përshtypje. Por e theksoj se ishte personeli që na godiste. Sa për abuzimet e tjera këto i kuptonim, sidomos kur u rritëm sepse shikonim personelin që dilte me çanta me ushqime nga institucioni, ndërsa ne na jepnin gjysmë racioni për të ngrënë. Kujtoj që na jepnin gjysmë salçiçeje, ose gjysmë veze se pjesa tjetër që ishte për ne vidhej nga punonjësit. Këtë e kuptonin kur vinin të huaj në institucion, ose kontrolle ose media, se na i jepnin racionin e plotë, apo kur na dërgonin me pushime në Velipojë, ku nuk na linin gjithë verën siç thuhej se duhej të ndodhte, por vetëm disa ditë.
A ka patur abuzime apo ngacmime seksuale në kohën kur jetonit aty?
Jo, nuk di të ketë patur të tilla. Ndërsa për rastet e tanishme, e di se janë të vërteta, pasi këtë e ka vërtetuar ekspertiza mjekësore, ndërsa në vitet kur kam qenë unë nuk di të ketë patur.
IKJA NGA QENDRA, ÇFARE NDODH ME FEMIJET SI SPARTAKU
Mesazhi prekës i djalit që di gjithçka për dhunën që ndodh në ambientet e qendrës Personazhi jonë që pranoi të rrëfehet për gazetën “Shekulli” tregon kalvarin e gjatë të vuajtjeve të tij për të gjetur një mundësi tjetër jetese. Ai pranon se është mjaft e vështirë nëse nuk ke një person që të ndihmon, ndërsa saktëson se ka filluar punë si pastrues. Edhe për atë punë i është dashur ndërhyrja e njerëzve të njohur ndërkohë që tregon se për të vazhduar jetën i duhet edhe një strehë. Në fakt shtëpi ndahen çdo vit, me program të veçantë të bashkive, por kjo kategori nuk përfaqësohet nga asnjë lloj organizate. Pasi mbushin 14 vjeç ata hidhen në rrugë duke mos u kujdesur askush për ta.
Kur largohesh nga institucioni, ku dhe si jetonit?
Unë aktualisht vazhdoj të jetoj tek konvikti i shkollës së muzikës. Kemi qenë 27 vetë, tani jemi 5 vetë sepse të tjerët kanë dalë e kanë marrë shtëpi me qira sepse kanë krijuar familje. Punoj çfarë të mundem pasi kam të siguruar vetëm fjetoren dhe për tu ushqyer, veshur apo nevoja tjera duhet të punoj. Më ka ndihmuar Arvit Osja, drejtori i sigurimit shëndetësor dhe jam i punësuar pastrues në ambientet e PS-së në Shkodër, por me raste bëj dhe punën e pastrimit të xhamave pasi e zotëroj si profesion dhe kur gjej e kryej dhe këtë punë, sidomos në lokale apo ndërtesa të ndryshme.
Cili është mesazhi juaj drejtuar shtetitshe institucioneve të tij?
Unë do t’i kërkoja shtetit apo bashkisë që të vendoste kamera në ambientet e institucionit pasi aty fëmijët keqtrajtohen sistematikisht dhe kjo fshihet nga personeli. Fëmijëve u bëhen presione të ndryshme për të mos folur. Keqtrajtimi ka ndodhur dhe ndodh, dhe nuk e kam fjalën për sharje apo ofendime, por për dhunë fizike. Një apel i bëj dhe të gjithë atyre që punojnë ose do të punojnë aty: Të mos abuzojnë me fëmijët, me jetimët ose ato që nuk kanë mundësi të jetojnë pranë familjeve dhe halli i ka çuar aty. Të vënë dorën në zemër për këta fëmijë.