Nga Boldnews.al
Anëtari i Komisionit të Vetingut, Lulzim Hamitaj, u thirr mesditën e së Martës në Prokurorinë e Tiranës, për t’u pyetur mbi akuzën e Partisë Demokratike për “fallsifikim dokumentash”, në kuadër të një hetimi që është i destinuar të mbyllet para se të nisë.
Lulzim Hamitaj u denoncua publikisht në Korrik 2018, fillimisht në “Boldnews.al” dhe më pas nga Partia Demokratike për dyshimet mbi fallsifikimin e çertifikatës së gjuhës angleze, një prej dokumentave bazë që nevojiteshin për kandidaturat për anëtar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).
Prokuroria e Tiranës, shumë muaj pas publikimit të fakteve, vendosi që të thërrasë për të pyetur komisionerin Hamitaj mbi procedurat që ai ka ndjekur për të marrë çertifikatën e gjuhës së huaj në shoqatën “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe”.
Hetimet për Hamitajn po zhvillohen nga prokurorja Ida Ahmetlli, e njëjta e cila pushoi hetimet rreth dy vjet më parë për këtë shoqatë, e denoncuar në një emision investigativ për praktikat korruptive dhe fiktive në dhënien e dokumentit të njohjes së gjuhës angleze.
“Boldnews.al” ka arritur të sigurojë vendimin e pushimit të hetimeve për shoqatën “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe”, e cila, edhe në atë kohë, ashtu si në rastin e Hamitaj, dyshohej se i kishte dhënë çertifikatë të gjuhës angleze një personi, i cili nuk kishte bërë testim.
Emisioni investigativ publikoi pamjet e një shtetaseje, e cila fliste me një punonjësve të qendrës për të marrë një çertifikatë të njohjes së gjuhës angleze. “Bashkëpunëtorja” e emisionit pagoi 150 euro dhe mori çertifikatën e anglishtes, pa plotësuar formularin e testit, siç e kishin diskutuar paraprakisht me punonjësen e qendrës.
Në bazë të këtij materiali filmik, Prokuroria e Tiranës nisi hetimin dhe çështjen e ndoqi prokurorja Ahmetlli, për veprën penale të “korrupsionit pasiv në sistemin privat”. Në vendimin e datës 26 janar 2016, prokurorja konkludoi se Qendra nuk ishte përfshirë në veprime korruptive.
Për të arritur në këtë konkluzion, ajo është bindur, kryesisht nga deklarimet e Sekretares së Përgjithshme të kësaj qendre, Silvana Hoxha, e cila, për shkak të pozicionit të saj, do të mohonte gjithçka.
Sekretarja Hoxha ka deklaruar se qendra që ajo drejton është e ngarkuar për organizimin e provimit të njohjes së gjuhës angleze dhe është pikë kontakti me Universitetin e Kembrixhit. Sipas saj, shoqata “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe-ABBCI” është licensuar nga ky universitet për organizimin e provimeve të Cambridge-ESOL që janë një grup provimesh për nivele të ndryshme të gjuhës angleze (komisioneri Lulzim Hamitaj ka marrë pranë saj çertifikatën e nivelit B1).
Silvana Hoxha ka shpjeguar gjithashtu edhe mënyrën e aplikimit dhe testimit. Kandidatët paraqiten pranë qendrës për të mësuar datat kur mund të testohen, paguajnë 95 euro dhe japin testimin, përgjigjet e të cilin mund të merren pas dy javësh. Aplikantët plotësojnë një formular me gjeneralitet e tyre dhe pagesën e kryer. Ky formular, sipas rregullave të qendrës, asgjësohet nga punonjësit e qendrës, pra, duke mos lënë më asnjë gjurmë se kush janë aplikantët.
Për personat që duan një shërbim më të shpejtë, pagesës fillestare i shtohen edhe 55 euro, duke e çuar kështu në total 150 euro. Më pas, testimet e plotësuara me laps, sekretohen, mbyllen në zarfa dhe kontrollohen diku tjetër.
Pra, kjo, sipas sekretares së përgjithshme të qendrës është praktika normale. Por, ajo nuk ka arritur të shpjegojë para prokurores se përse “bashkëpunëtorja” e emisionit investigativ ka arritur të marrë çertifikatën e gjuhës angleze pa u paraqitur aspak në testim.
Nga ana tjetër, edhe prokurorja, pasi nuk ka arritur të sigurojë prova të tjera mbi rastin e denoncuar në emision, ka pranuar shpjegimet e Sekretares së Përgjithshme. Prokurorja argumenton se ekzistonin dyshimet që “aplikantja” e rastit konkret mund të ketë lënë formularin e testit të paplotësuar, të ketë paguar shumën në mënyrë korruptive tek punonjësja e qendrës dhe kjo e fundit ia ka plotësuar, duke mundësuar në këtë mënyrë pajisjen me çertifikatë të gjuhës angleze.
Por, sipas prokurores, meqenëse nuk u gjetën as “aplikantja” dhe as punonjësja e qendrës, atëherë hetimi duhet pushuar, duke konfirmuar njëkohësisht se edhe praktikat e ndjekura nga Qendra, përfshirë këtu edhe “asgjësimin” e formularëve të aplikantëve, janë procedura normale.
Prokurorja Ida Ahmetlli, e cila ka pranuar këto praktika të Qendrës në vitin 2016, tashmë pritet që të rikonfirmojë qëndrimin e saj, në rastin e hetimit të komisionerit Lulzim Hamitaj. Ky i fundit, sipas dokumentave të dorëzuara për kandidimin në Komisionin e Vetingut, rezulton që ka marrë një çertifikatë njohjeje të gjuhës angleze në vitin 2016, gjë që do të thotë se aplikimi i tij, edhe sikur ta ketë bërë, nuk gjendet më në arkivën e Qendrës.
Përfundimi i pritshëm është pushimi i hetimeve për Lulzim Hamitaj, i cili, me shumë mundësi, do ta kthejë “nderin” gjatë procesit të Vetingut.