Nga Dritan Demiraj, PHD/
Libri “Xhihadi në Ballkanin Perëndimor“, është një libër që do të dëshiroja të mos e kisha shkruar kurrë.
Kjo për faktin se përmbajtja e librit na ballafaqon me një problematikë të vështirë dhe të padëshiruar për shqiptarët dhe boshnjakët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Xhihadizmin dhe Ekstremizmin Islamik. Përpos kësaj, libri që do keni në dorë është një analizë dhe vlerësim objektiv i gjendjes së radikalizmit religjioz, posaçërisht radikalizmit Islamik ndër shqiptarët dhe boshnjakët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, strategjisë së ISIS-it dhe al-Qaedës në Ballkan, shtrirjes së rrjeteve së tyre, shkaqeve, rreziqeve dhe kërcënimeve, strategjive kundërterroriste që duhen ndërmarrë për t’u përballur me sukses kundër tyre.
Qëllimi për të përgatitur këtë botim, është analiza e hollësishme dhe krijimi i një burimi lehtësisht të arritshëm, praktik dhe akademik për një temë me rëndësi të madhe për strukturat e sigurisë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën (prandaj është botuar dhe në gjuhën angleze).
Libri zbulon në kapitullin e parë gjendjen e radikalizmit, strukturës rekrutuese e organizative të ngritur në vendet e Ballkanit (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, etj) kryesisht në vendet ku dominon popullsia Myslimane. Qëllimi i tyre final është realizimi i një vizioni të çmendur për krijimin e një Kalifati Islamik.
Krijimi i Shtetit Islamik në Irak, Siri (ISIS/ISIL) dhe deklarimi i “Kalifatit” në muajin Qershor 2014 në Mosul nën drejtimin e “Kalifit” Abu Bakr al-Bagdadi, krijoi një dimension të ri kërcënimi terrorist nga ana e xhihadistëve në të gjithë globin. Lëvizja xhihadiste globale e frymëzuar prej pothuajse tre dekadash nga “Tenzin al-Qaeda al-Jihadi” al-Qaeda, arriti kulmin e saj kur mori nën kontroll në shtetet Siri dhe Irak një sipërfaqe më shumë se 280.000 km².
Që prej fillimit të konfliktit në Siri në verën e vitit 2011, më shumë se 40.000 luftëtarë të huaj nga 100 vende u larguan nga shtëpitë e tyre dhe u nisën për t’iu bashkuar konfiktit në Siri e Irak. Në mes të 22 shteteve perëndimore të Europës, mbi 5600 shtetas europianë luftëtarë të huaj i janë bashkuar organizatave militante në Siri dhe Irak, ku vetëm Kosova ka 128 luftëtarë të huaj për një milion banorë, duke e renditur atë në vendin e parë në mes të 22 vendeve të listuara për luftëtarë të huaj, e pasuar nga Bosnja me 88 luftëtarë të huaj, Belgjika me 46 luftëtarë të huaj dhe Shqipëria me 33 luftëtarë të huaj për një milion banorë.
Sot rreth 25 për qind e luftëtarëve të huaj europianë janë kthyer në vendet e tyre. Këta kanë qënë kontigjent i një sasie prej më shumë sesa 5600 luftëtarësh nga 22 vende europiane (të cilët përbëjnë rreth 20 për qind të numrit të tyre total). Në disa vende si Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Suedia 50 për qind e tyre janë kthyer. Në total mbi 20.000 emra janë shpërndarë nga Interpoli me qëllim identifikimin, ndjekjen, vëzhgimin, kapjen, arrestimin dhe rehabilitimin e tyre në qëndra të caktuara nga qeveritë përkatëse (ndërkohë mos identifikimi i luftëtarëve të tjerë të huaj, pra rreth 10.000 personave dhe lënia jashtë listave të Interpolit dhe agjensive ndërkombëtare të inteligjencës, paraqet rrezik serioz për sigurinë e vendeve demokratike).
Prej kohësh është rritur frika dhe pasiguria në Europë dhe më gjerë në lidhje me impaktin e mijëra luftëtarëve Europianë që kanë shkuar në Siri dhe Irak për xhihad. Kjo më shumë se çdo gjë tjetër në rastin kur ata do të kthehen në vendet e tyre. Sipas analizës së shërbimeve inteligjente të rajonit dhe të SHBA-së, rreziku nga këto xhihadistë është i madh në vendet e Ballkanit perëndimor. Sipas llogaritjeve dhe informacioneve, Kosova dhe Bosnja janë shtetet që kanë numrin më të madh të “vullnetarëve” që janë përfshirë në xhihadin Sirian, në krahasim me shtetet e tjera në Europë. Më shumë sesa 900 xhihadistë nga Europa jug-lindore kanë vepruar në Siri në vitet 2012-2018.
Gjatë detyrës time zyrtare në ato vite në FS mora informacione por dhe shqetësime serioze nga partnerët kryesorë, në lidhje me rekrutimin e fshehtë të vullnetarëve shqiptarë në frontet e ndryshme xhihadiste në Siri dhe për vrasjet e tyre të para. Konkretisht rreth 712 persona me origjinë shqiptare janë përfshirë në konfliktin apo xhihadin Sirian (jo të gjithë si luftëtarë, përfshirë këtu dhe familjarët):
Përsa i përket Shqipërisë janë përfshirë në konfliktin Sirian dhe në Irak 144 persona në total të ndarë: (79 meshkuj, 26 të vrarë, 30 të kthyer, 23 vazhdojnë të jenë prezent në kufirin midis Sirisë dhe Irakut), 27 femra (7 të kthyera, 20 në zonën e konfliktit) 38 fëmijë (8 të kthyer, 30 me familjet në zonën e konfliktit, ku një pjesë i ka prindërit e vrarë); numri i shqiptarëve të Kosovës në Siri ka qënë 413 persona në total, të ndarë në 252 meshkuj (76 luftëtarë të vrarë, 119 të kthyer dhe 57 në zonat e luftimit, një person i vdekur), 49 femra (6 të kthyera, 1 e vdekur dhe 42 në Siri) dhe 112 fëmijë (54 famijë janë marrë me vete, 54 kanë lindur, 1 fëmijë i vdekur, 3 të kthyer në Kosovë), shqiptarë nga Maqedonia Veriore rreth 151 persona të ndarë në (81 të kthyer dhe 14 të vrarë), nga Sërbia 4 persona (një i vrarë).
Është shumë shqetësues një artikull i gazetës “New York Times” i botuar në vitin 2016, që thoshte se Kosova brenda një kohe të shkurtër është shndërruar nga një vend kryesisht i moderuar mysliman në “tokë pjellore për ISIS-in” Shtetin Islamik dhe kjo si pasojë e fondeve të ofruara nga Arabia Saudite për financimin e shkollave Wahabiste dhe të xhamive.
Kapitujt në vazhdim përqëndrohen në një historik të shkurtër dhe një analizë të detajuar se si u krijua Shteti Islamik/ISIS në Irak nga pushtimi amerikan në vitin 2003 dhe më pas zhvendosja dhe zgjerimi i tij në Siri në vitin 2011-2018. Rrugët e inflitrimit të luftëtarëve të huaj nga e gjithë bota në Siri, Irak dhe grupet kryesore që janë përfshirë në Xhihadin Sirian.
Ky libër ka për qëllim identifikimin e rrënjëve të ideve të dhunshme ekstremiste. Ai e njeh, fakton, analizon dhe del në përfundimin se ka një ndikim të fortë të Arabisë Saudite në prezantimin e ideve, praktikave, ideologjive konservatore fetare në përhapjen e tyre në shoqëritë tona. Për këtë qëllim në vazhdimësi do të paraqes fakte dhe argumente në lidhje me fillimin e veprimtarisë ekstremiste-fondumentaliste të disa prej këtyre organizatave në Shqipëri që nga viti 1992 e në vazhdim.
Kapitulli katërt i librit bën një analizë të hollësishme të rastit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë ku shumica e organizatave joqeveritare myslimane janë përdorur për qëllime bamirësie, siç psh: ndërtimi i xhamive dhe qëndrave Islamike, edukimi dhe dhënia e ndihmës së të varfërve, përzgjedhja për studime e të rinjve për të studiuar në vendet Islame. Por përveç “bamirësisë”, koha tregoi se një pjesë e madhe e fondeve të tyre u përdorën për të mbështetur veprimtaritë dhe elementë të veçantë terroristë. Organizata terroriste Xhihadi Islamik Egjiptian (EIJ), Fronti Islamik Algjerian (AIF), al-Qaeda dhe Grupi i Armatosur Islamik (GIA), kanë përdorur mbulesën e OJQ-ve, të bamirësive dhe bizneseve të lidhura me to, për të ngritur aktivitetin e tyre në Shqipëri. Këto organizata ekstremiste arritën t’i depërtojnë anëtarët e tyre në OJQ-të nëpërmjet kontrollit të fondeve të organizatave, duke i përdorur ato për mbështetjen e aktiviteteve terroriste duke përdorur fenë Islame si maskim, për të rekrutuar dhe radikalizuar të rinjtë në lëvizjet ekstremiste kundër qeverisë shqiptare dhe institucioneve të saj. Gjithashtu këto organizata përdorën Shqipërinë, si një urë për të promovuar aktivitetet e tyre terroriste dhe operacionet jashtë vendit, veçanërisht në vendet e tjera të Ballkanit (Kosovë, Maqedoninë Veriore, Bosnjë-Hercegovinë), Irak, Afganistan dhe më gjerë.
Kapitulli i fundit jep të dhëna empirike që lidhen me angazhimin e 937 shqiptarëve nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnje & Hercegovina në xhihadin ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë në Siri dhe Irak. Për këtë janë shfrytëzuar të dhëna të hapura nga institucionet shqiptare, kosovare, maqedonase dhe boshnjake të sigurisë, por njëkohësisht dhe nga mediat, gazetat, ëebsitet, librat dhe agjensitë më me emër të sigurisë në botë (asnjë informacion nuk është marrë nga shërbimet inteligjente të rajonit).
Mbetem me shpresë që ky libër do të kontribojë dhe ofrojë një analizë të hollësishme të perceptimit të terrorizmit, si dhe të kuptimit të rreziqeve dhe kërcënimeve të këtij fenomeni, pasojat e të cilit nuk janë shumë larg. Lufta kundër terrorizmit do të ishte produktive nëse politikëbërësit do të merrnin parasysh këshillat e ekspertëve, të cilët janë marrë me studimin, drejtimin dhe pjesëmarrjen aktive në operacione speciale luftarake dhe inteligjence në zona të ndryshme të botës, atje ku terrorizmi shfaqet në formën e grupeve dhe organizatave të fuqishme terroriste, duke ushtruar terror mbi pushtetin politik dhe popullatat e këtyre shteteve (Siri, Egjipt, Irak, Pakistan, Afganistan, Jemen, Libi, Nigeri, Somali, Jordani, etj).
Si përfundim, faktet, provat, studimi dhe analizat e paraqitura në këtë libër të nxjerrin në një konkluzion të vetëm: duhet miratuar sa më shpejt një strategji afatgjatë gjithëpërfshirëse e integruar ndërinstitucionale, për arritjen e qëllimeve të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit në luftën kundër terrorizmit. Nëse nuk mësojmë nga dështimet, katastrofat humane e sociale të shoqërive e shteteve të cilat krijuan hapësira veprimi për organizatat terroriste, si dhe të shteteve perëndimore të cilat janë sulmuar në mënyrë tinzare nga këto organizata, do të jemi të destinuar të përsërisim gabimet e të tjerëve dhe në të ardhmen do të vuajmë pasojat.
DD, Ph. D
Michigan, USA.