Më herët Ministri Tahiri tha se në Polici ekziston një pajisje por që përdoret vetëm për qëllime trajnuese nga homologët italianë dhe nuk është përgjuese .
“Seanca frymëzohet nga informacionet që qarkullojnë në media. Policia e Shtetit, nuk ka pasur nuk ka dhe as nuk mund të ketë asnjë pajisje përgjimi. Çdo aludim tjetër është thashethemnajë mediash. Ka pajisje trajnimi nga partnerët italianë. Pajisja nuk kryen përgjim por është trajnuese është shprehur Tahiri.
Ndërkohë më herët Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako tha se Policia nuk kishte asnjë lloj pajisje. Fjalët e tij kanë qenë më të “prera” dhe më “të pakta” se ato të Ministrit Tahiri.
Ja fjala e plotë e Ministrit Tahiri në Komisionin e Sigurisë:
Policia e Shtetit nuk pasur, nuk ka e nuk do të ketë pajisje përgjimi. Çdo aludim është thashethem
– Mund t’ju garantoj me përgjegjësinë maksimale që Policia e Shtetit nuk ka shkelur e nuk do shkelë ligjin, veçanërisht në çështje të tilla
– Policia ka një program trajnimesh. Eksperienca e partnerëve ndihmon Policinë e Shtetit. Krimi nuk luftohet me injorantë, por me profesionistë
– Policia e Shtetit është e vendosur të luftojë kriminalitetin, korrupsionin, e mbi të gjitha të pandëshkueshmit. Çdo shkop nën rrota na bind që kjo është rruga e duhur dhe e drejtë
– Ata që kanë abuzuar me detyrën shtetërore duke dalë dhe i thënë publikut të pavërteta, të kenë kurajo intelektuale dhe institucionale për t’i kërkuar ndjesë publikut
Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare:
Faleminderit zoti drejtues i seancës,
Të nderuar deputetë të Komisionit të Sigurisë,
Pavarësisht se (edhe në parashtresën tuaj, edhe me sa duket), seanca frymëzohet (siç thoni ju) “nga informacioni që qarkullon në media”, unë besoj përsëri se ftesa e këtij Komisioni është më shumë serioze se ato që qarkullojnë nëpër media, për t’ju dhënë përgjigje ju por mbi të gjitha qytetarëve.
Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka, nuk mund të ketë asnjë pajisje përgjimi.
Policia e Shtetit bën detyrën e saj në përpjekjen maksimale për të reformuar sektorin e sigurisë, e mbi të gjithë për t’u ofruar qytetarëve shqiptarë një standard të ri shërbimi e standard më të lartë sigurie.
Ajo që kemi trashëguar në Policinë e Shtetit është një varfëri totale – qoftë nga pikëpamja infrastrukturore, qoftë nga pikëpamja e dijes dhe e përgatitjes profesionale të punonjësve të Policisë për të bërë detyrën ashtu siç duhet.
Pra në kapërcyell të 25 viteve Policia e Shtetit sot është në përpjekjen e saj për t’u reformuar e për t’u bërë më e mirë për të luftuar krimin. Por fatkeqësisht, e trashëguam në mënyrën më të degraduar të mundshme (për shkak të mungesës së kapaciteteve) për të pasur rezultate solide në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Në këtë kuadër, përpjekja jonë është fokusuar kryesisht në përmirësimin e mundësive të Policisë për t’i shkuar pas atyre që shkelin ligjit. Ju e dini që bota e krimit ka më shumë mundësi financiare sesa agjencitë ligjzbatuese.
Bota e krimit është jo vetëm më e pasur, por (deri dje) edhe më e paprekshme. E për këtë arsye kërkohet që në Policinë e Shtetit të zhvillohen kapacitete të tilla që të mundësojnë rezultate solide në luftën kundër kriminalitetit.
Ne e filluam duke ringritur Akademinë e Sigurisë pas 10 viteve inekzistencë totale të mundësisë për të formuar punonjësit e Policisë në një institucion të nivelit të lartë, për të hetuar ashtu siç duhet kriminalitetin. Bashkimi Europian na ka vënë shumë herë në dukje mungesën e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe formimit profesional në Policinë e Shtetit. Kjo sepse Akademia e Sigurisë u mbyll, iu vu çelësi, duke menduar se të luftosh krimin nuk do mend.
Në fakt ne mendojmë të kundërtën. Të garantosh sigurinë në këtë vend mbi të gjitha do mend. Do mendje, dije, profesionalizëm. Më pas do muskuj. E më pas do armë. Në këtë kuadër, ne kemi menduar që përpjekja jonë për të reformuar këtë sektor dhe për të rilindur nga themeli Policinë e Shtetit që e gjetëm në atë derexhe, ishte ta nisnim nga Akademia e Sigurisë.
Sot të rinj dhe të reja aplikojnë për punonjës policie sepse besojnë tek Policia e Shtetit.
E ritheksoj që ky vend bëhet më i sigurt, ne mendojmë që qytetarëve u shërbehet më mirë, atëherë kur punonjësit e Policisë mësojnë, përgatiten të sillen më mirë, të jenë më të edukuar, të jenë më korrektë me qytetarin dhe të kenë aftësi profesionale të mjaftueshme për të luftuar kriminalitetin. Ashtu siç mendoj që eksperienca e vyer e partnerëve tanë është rrugëkalimi e domosdoshme për të bërë atë që të tjerët e kanë bërë shumë kohë para nesh.
Ne mendojmë që eksperienca e vyer me partnerët ndërkombëtarë është ndihma më e madhe që mund të na japin në luftën kundër kriminalitetit. Ne nuk mendojmë që, të nxjerrim jashtë të gjithë partnerët, është më mirë. Ne mendojmë që eksperienca dhe dija e tyre, mund të aftësojë punonjësit tanë për të bërë atë që duhet të bëjnë dhe për të bërë atë që presin qytetarët.
Në këtë kuadër Policia e Shtetit ka një program trajnimesh, të cilat në mënyrë të padiskutueshme i bëjnë punonjësit e Policisë më të përgatitur, për të përmbushur misionin në detyrën e tyre përballë qytetarëve.
Këto trajnime fillojnë nga mënyra e sjelljes, nga qëndrimi në publik, nga komunikimi me qytetarët, nga përdorimi i mjeteve personale të punonjësve të policisë në përmbushje të detyrës, nga përdorimi i metodave dhe i teknikës hetimore. Të gjitha këto janë çështje, të cilat në MPB janë prioritet, në Policinë e Shtetit janë prioritet.
Ne nuk mendojmë që krimi luftohet me injorancë. Ne mendojmë që krimi luftohet me punonjës policie të ditur, të aftë dhe profesionistë. Kështu mendojmë ne, dhe në këtë mënyrë e kemi bërë detyrën, kështu do vazhdojmë. Policia e Shtetit ka rezultate, të cilat deri dje as mendoheshin, që kanë të bëjnë me sigurinë dhe me standardin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Ndaj besojmë kjo është rruga më e mirë për t’u dhënë qytetarëve shërbimin që presin nga policia dhe sigurinë që presin nga policia. Lidhur me shqetësimin që ju thoni, Prokuroria e Tiranës ka një çështje hetimore.
Unë kam shumë bindje që Prokuroria në një kohë relativisht normale për hetimin do kthejë përgjigje. Përgjigjja do jetë mbi të vërtetën. Unë jam shumë i gatshëm të pres përgjigjen e Prokurorisë, jam shumë i qetë dhe i kam vënë në dispozicion, nga vetja ime dhe gjithçka përfshin detyra e ministrit, deri te çdo instancë e Policisë së Shtetit, që duhet t’i përgjigjet prokurorisë në kërkesat që ka në lidhje me hetimet. Hetimi po vazhdon.
Besoj pas meje do jetë Prokurori i Përgjithshëm këtu dhe do japi përgjigjet lidhur me hetimin. Mund t’ju garantoj në përgjegjësinë maksimale përballë këtij komisioni, përballë parlamentit, mbi të gjitha përballë publikut që Policia e Shtetit nga dita e parë që unë jam në detyrë e deri në ditën e fundit që do jem në këtë detyrë, nuk ka shkelur dhe nuk do shkelë ligjin, veçanërisht në çështje sensitive siç janë çështjet e përdorimit të pajisjeve që mund të bëjnë përgjim.
Policia e Shtetit për hir të trajnimeve dhe bashkëpunimit me partnerët përdor çdo pajisje që është e ligjshme dhe për këtë të jeni të bindur, e kemi përdorur dhe do vazhdojmë të përdorim çdo pajisje që është e ligjshme në Republikën e Shqipërisë dhe po keni kuriozitet mund t’ju ftojmë si Komision që të merrni pjesë gjatë trajnimeve dhe të inkurajoni dhe ju punonjësit e Policisë që në këto trajnime të bëhen me të aftë për t’i shërbyer publikut. Kjo besoj që na nderon të gjithëve, ju, ne këdo që nga Policia pret një standard tjetër shërbimi.
Policia e Shtetit e përsëris me përgjegjësi maksimale, nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë në përdorim pajisje që mundësojnë përgjimin e telefonatave, mesazheve apo të dhënave data, pra komunikimit nëpërmjet rrjeteve të internetit.
Çdo aludim tjetër është si çdo thashethemnajë mediash apo zhurmë mediash siç e quajtët dhe ju. Unë besoj që ky Komision bën shumë mirë që ushtron këtë lloj vëmendje ndaj Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ne na bën mirë të gjithëve për sa kohë sensibilizojmë qoftë edhe në këtë mënyrë, mbi të gjitha punonjësit e Policisë, por edhe qytetarët për të pasur vëmendje ndaj punës së Policisë. Për t’u bërë të gjithë bashkë për të respektuar ligjin, për t’u bërë të gjithë bashkë, për t’i dhënë shërbimin që duhet qytetarëve nga Policia e Shtetit dhe mbi të gjitha dhe kjo është shumë ë rëndësishme, për t’u bërë të gjithë bashkë të luftojmë kriminalitetin, korrupsionin dhe mbi të gjitha të pandëshkueshmit.
Ne në Policinë e Shtetit kemi krijuar dhe do krijojmë, do vazhdojmë të krijojmë një trup moderne që do t’i përgjigjet Shqipërisë të shekullit të ri. Jemi mjaft të bindur që kjo është rruga e duhur për t’i shërbyer qytetarëve. Çdo shkop ndër rrota na bën më të bindur që kjo është rruga e duhur dhe e drejtë. Jemi mjaft të vendosur që Policisë së Shtetit t’i forcojmë kapacitete njerëzore. Jemi mjaft të bindur që Policisë së Shtetit për të pasur sukses në luftën kundër kriminalitetit t’i forcojmë kapacitete teknologjike dhe infrastrukturore.
Jemi mjaft të bindur që Policisë së Shtetit dhe punonjësve të Policisë së Shtetit t’i forcojmë kushtet e punës apo akoma më shumë pagën, sepse unë e besoj këtë punë ashtu si e kam besuar ditën e parë. Unë i besoj gjërat që them dhe mundohem t’i bëj realitet në punën time ashtu si në ditën e parë. Kjo është arsyeja . Juve mund t’ju duket e çuditshme por unë kështu e bëj këtë punë.
Kam ardhur këtu për t’ju përgjigjur këtij Komisioni të nderuar për një çështje që besoj se do marri përgjigjen e merituar.
Policia e Shtetit nuk ka shkelur ligjin asnjë sekondë të punës në lidhje me çështjen që ju interesoheni. Për këtë mbaj përgjegjësi personalisht, për moralin që kam në detyrë, për mënyrën se si jam mësuar të bëjë detyrën dhe mbi të gjitha përballë qytetarëve
dhe ligjit.
Pra pak a shumë ky është informacioni përmbledhës i
shqetësimit që keni ju. Unë besoj që kjo çështje do trajtohet në mënyrë ezauruese nga Prokuroria.
Unë besoj që e vërteta do i bëhet e ditur publikut. Shpresoj shumë që të gjithë ata që kanë abuzuar me detyrën shtetërore duke dalë dhe i thënë publikut të pavërteta, të kenë kurajo intelektuale dhe institucionale për t’i kërkuar ndjesë publikut.
Faleminderit!