Lëvizja “Për Universitetin”, ka reaguar sërish ndaj deklaratave se organizata e tyre po tenton përçarjen e studentëve, pasi janë pjesë e “Organizatës Politike”.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, lëvizja “Për Universitetin”, hedh akuza ndaj Këshilleve Studentore, që sipas tyre nuk janë studentë, për shkak se prej më shumë se 7 vitesh nuk janë organizuar zgjedhje.
“Zgjedhjet e fundit për këshillat studentorë të universiteteve publike janë bërë në vitin 2011. Kjo do të thotë se asnjë nga studentët e sotëm nuk ka votuar për ata hiqen si përfaqësues të tyre. Është e çuditshme që edhe ata vetë, pas 7 vjetësh, të jenë akoma studentë. Një pjesë prej tyre njihen si anëtarë të forumeve rinore të partive.” shkruhet në faqen “Për Universitetin” në rrjetet sociale.
Sipas tyre, “As ata, askush tjetër nuk janë përfaqësues të protestës. Mijëra studentët e mbledhur në shesh janë shembulli demokracisë së drejtpërdrejtë. Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin shprehin keqardhjen që personat në fjalë, në vend se t’u japin studentëve mesazhe bashkimi, i fryjnë zjarrit të përçarjes.”
Lëvizja “për Universitetin” e mbyll reagimin e tyre duke shkruajtur: “Studentët e bashkuar kanë për të fituar!”