Nga Ilmi Rehova
Erion Veliaj ka shfrytëzuar pjesëmarrjen e tij në një panair ndërkombëtar qytetesh—Smart City Expo World Congress—për të lëshuar në tregun e opinionit një nga monologjet e tij të zakonshme vetëlëvduese dhe vetëdashurore.
“Më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme që Tirana vlerësohet në Panairin e Qyteteve Inteligjente në Barcelonë,” është shprehur Veliaj, por askush nuk di se për çfarë është vlerësuar Tirana në këtë panair.
Në fakt nuk është vlerësuar për asgjë—bëhet fjalë për një panair ku pjesëmarrja në të bëhet me pagesë dhe, si në çdo panair, edhe aty bëhet çdo vit rotacioni i zakonshëm i ndereve duke dhënë çmime për të mbajtur tërhequr pjesëmarrësit dhe pëmbushur interesat tregtare të organizatorëve.
“[N]djehem shumë krenar për atë që kemi arritur në Tiranë, falë mbështetjes së jashtëzakonshme që populli i Tiranës i jep ndryshimit, punës dhe modernizimit”, ka vazhduar propagandën e zakonshme Veliaj.
Por e vërteta është se Tirana nuk ka asnjë element të qytetit inteligjent dhe asnjë shërbim vërtetë modern, në ndonjë fushë.
Pothuajse €25 milionë të hedhura në Sheshin Skënderbej—për të përmbushur ambicien e Kryeministrit Rama, i cili kërkon të përjetësojë veten e tij në histori—nuk është modernizim, por përdorim në mënyrën më të padobishme të parasë publike. Ky shesh—i cili vazhdon të gëlltisë miliona euro çdo vit për ndërtimet shtesë dhe mirëmbajtje, pa llogaritur shpenzimet për aktivitete që organizon Bashkia me qëllim që të justifikojë dobinë e tij—do të shërbeje si kopështi privat i ministrive dhe ndërtesave që oligarkët që pritet të ndërtojnë përreth.
Nuk janë modernizim as projektet e padobishme fasada të tilla si ndriçimi dhe pemët anash autostradës, në fakt vetëm pjesës deri në Rinas, apo korsitë (pa asnjë standard teknik dhe sigurie) të biçikletave në qendër të Tiranës. Janë thjesht politika të këqia publike, të cilat ndërmerren vetëm për të ndriçuar imazhin personal të kryebashkiakut dhe shefit të tij politik, por jo për të përmirësuar shërbimet dhe jetesën e qytetarëve.
Kurse ndërtimet e larta, që po rrisin dendësinë e popullsisë në qendër të Tiranës, pa përmirësuar infrastrukturën e saj urbane, vetëm vështirësojnë jetesën e qytetarëve, pa përmendur humbjen e pariparueshme të hapësirave publike.
Urbanizimi dhe betonizimi skandaloz i Parkut të Liqenit, me rrugica betoni e rruge asfalti dhe ndërtimet e planifikaura në periferinë e tij, janë makiazh sipërfaqësor dhe kthim gradual i Parkut në zonë urbane.
Ato pak trotuare të gjëra të qytetit, kryesisht në qendër të Tiranës, po mbushen me kioska të oligarkëve kryesore të vendit, të cilët me ndihmën e kryebashkiakut Veliaj, kannë monopolizuar edhe këtë lloj biznesi i cili kudo në botë u licensohet individëve apo bizneseve të vogla familjare.
Koncertet qindra milionëshe dhe panairet shumë milioneshe, të organizuara nga Bashkia, janë para të shpërdoruara—për më tepër, ato nuk mund të mbushin boshllekun mjeran artistik e kulturore të qytetit, si pasojë e mos investimit në kulturorë dhe art.
Po kështu maratonat e herë pas hershme, të cilat imitojnë ato të qyteteve perëndimore, nuk janë zëvendësim i mjediseve sportive të shkatërruara për t’u hapur troje ndërtimi oligarkëve. Ato nuk mbulojnë dot as faktin se Tirana është i vetmi qytet në botë pa një pistë të vetme atletike, e cila u shkatërrua bashkë me stadiumin e vjetër Qemal Stafa, në vend të të cilit po ndërtohet një masë e shëmtuar betoni.
Ndërkohë në fushën e ujit të pijshëm, të ujërave të zeza, të mbledhjes së plehrave, të transportit publik, të trafikut, të ndotjes, të hapësirave publike të argëtimit, Tirana i ngjan me kryeqytetet më të prapambetura të botës. Niveli i këtyre shërbimeve mbetet ende mediokër dhe Veliaj nuk ka sjellë jo vetëm modernizim por as ndonjë përmirësim të vogël të tyre.
Por përkundër këtij realiteti, Veliaj ka arritur t’i mbushë mendjen shumëkujt se ai po ndryshon dhe përmirëson qytetin, në të njejtin stil si Edi Rama para tij. Sot ka qindra mijëra qytetarë të Tiranës dhe thuajse të gjithë të huajt që jetojnë në Tiranë, që e konsiderojnë Veliajn jo vetëm kryebashkiak të suksesshëm, por edhe udhëheqës modern e shpresë për të ardhmen.
Është arritje e jashtëzakonshme propagandistike për një njeri, i cili po e degradon edhe më shumë Tiranën—që në të vërtetë është degraduar në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi i tranzicionit—dhe një njeri të vënë krejtësisht në shërbim të një grushti oligarkësh të cilët kanë imponuar projekte dhe zhvillime që dëmtojnë qytetin dhe cilësinë e jetës.
Nëse ka një gjë që simbolizon shkëlqyeshëm realitetin dhe fasadën Veliaj është fakti se ndërsa Veliaj shpall botërisht Tiranën qytet inteligjent dhe modern, mes përmes qytetit kalojnë ujërat e zeza—në Lanë derdhen, në mënyrë aspak inteligjente, ujërat e zeza e një pjese të qytetit, duke e kthyer atë në burim të hapur sëmundjesh dhe rreziku për cilësinë e jetës. (Asnjë plan nuk ka për kanalizimet dhe trajtimin e ujrave të zeza të Tiranës gati 1 milionë banorëshe—ironikisht, qeveria japoneze ka gati dhjetë vjet që ka dhënë para për këtë investim, por burokracia bashkiake e ka bllokuar projektin).
Era e rëndë që ngrihet nga Lana në ditët e nxehta të verës është Tirana e vërtetë aspak inteligjente dhe aspak moderne, qyteti kryebashkiaku i të cilit një ditë do t’i bindë banorët se rrjedha e m… përmes qytetit është rrjedha e Danubit.