Nga Boldnews.al
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda zbuti masën e sigurisë për dy ish-deputetët socialistë, Arben Çuko e Arben Ndoka, të arrestuar në kuadër të operacionit kundër bandës kriminale “Avdulaj” të Shijakut, duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe Edi Ramën që të zbusë tensionet e krijuara brenda Partisë Socialiste pas prangosjes së tyre.
Tre javë më parë, një operacion i Policisë, i zhvilluar në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, u finalizua me mbi 20 të arrestuar, kryesisht nga klani Avdulaj në Shijak, por edhe dy ish-deputetët Ndoka e Çuko, i pari për fallsifikim dokumentash toke në Lezhë dhe i dyti për korrupsion gjatë kohës kur ishte Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Hetimi dhe më pas arrestimi i këtyre personave, përfshirë edhe deputetët, shkaktoi lëvizje të forta institucionale dhe politike. Pak para se të finalizohej hetimi, u lëviz prokurori i çështjes, Besim Hajdarmataj. Burime të ndryshme thonë që largimi i Hajdarmataj dhe transferimi i tij i paligjshëm drejt prokurorisë së Pogradecit, lidhet pikërisht me këtë dosje dhe, sidomos, me emrat e zyrtarëve të lartë, për të cilët, pas “degdisjes” së tij, nuk u ndërmorr në vijim asnjë masë ndaluese.
Më tej, po për shkak të këtij operacioni, mendohet se dha dorëheqjen edhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Arrestimi i dy ish-deputetëve Arben Ndoka dhe Arben Çuko shënoi kulmin e përplasjes Rama-Xhafaj, të cilët kishin një raport thjesht konjuktural me njëri-tjetrin.
Pas këtyre largimeve, kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndërmori një tur takimesh në Lushnje dhe Lezhë, zona të cilat përfaqësojnë politikisht përkatësisht Arben Çuko dhe Arben Ndoka.
Takimet e Ramës në këto qytete, formalisht ishin për pranimet e reja në Partinë Socialiste, por qëllimi kryesor i tyre dukej qartë që ishte “paraqitje ndjese” ndaj militantëve të forcës së tij politike për arrestimet e dy ish-deputetëve.
Prangosja, sidomos e Arben Ndokës, shkaktoi reagimin e fortë edhe brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ky grupim “në hije” u përfaqësua publikisht nga deputeti i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili kritikoi ashpër Policinë dhe Prokurorinë për këto arrestime. Reagimi emocional i Ndreut ishte i tillë, që mund të rrezikonte edhe përjashtimin e tij nga grupi parlamentar socialist, siç e pësoi pak muaj më parë edhe deputeti i Kurbinit, Gjetan Gjetani.
Por, në rastin e Pjerin Ndreut, Edi Rama nuk preferoi të urdhëronte përjashtimin e tij nga grupi i deputetëve. Kryesocialisti, në ato momente, kishte më shumë nevojë të zbuste anëtarësinë e Lushnjes e të Lezhës dhe nuk i interesonte carje e fortë edhe brenda radhëve të deputetëve.
Në këtë “lojë” politike, shoqëruar me arrestime, Edi Rama e kuptoi se një lëvizje e Xhafajt i shkaktoi shumë probleme në radhët e Partisë. Ndaj, përtej “turit të ndjesës”, atij i nevojitej një lëvizje edhe më e fortë në mbështetje të dy ish-bashkëpunëtorëve të tij, të prangosur.
Në këtë moment, në krah të Edi Ramës rreshtohet Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Mesditën e së Enjtes, pas më shumë se 2 ditë shqyrtimi, gjyqtarët vendosën që Arben Ndoka dhe Arben Çuko të hetohen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Heqja e prangave nga duart e dy ish-deputetëve është edhe një çlirim për Edi Ramën nga presioni brenda-partiak.
Gjyqtarët, të cilët tashmë e kanë kuptuar se fati i tyre para Vetingut do të vendoset nga vullneti politik, vendosën t’i japin një dorë kryeministrit, me shpresën se ky i fundit do ua kthejë nderin kur të përballen me trupat mediokre të institucioneve të rivlerësimit.