Nga Boldnews.al
Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet nga miratimi i Reformës në Drejtësi, institucionet e reja, ato të cilat pritet të sjellin ndryshime pozitive në gjyqësorin shqiptar, nuk janë ngritur ende për shkak të vonesave të pajustifikuara, por edhe “lojërave” politike, në të cilën janë përfshirë strukturat e Vetingut.
Thelbi i Reformës në Drejtësi ishte krijimi i SPAK-ut, Struktura e Posaçme Hetimore, e cila do të ketë në fokus hetimin e zyrtarëve të lartë. Por kjo strukturë ende nuk është krijuar, pasi institucioni që pritet të përzgjedhë prokurorët pjesë të saj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), ende nuk është konstituuar.
Krijimi i KLP-së duket se do të vonojë akoma më shumë, për shkak se strukturat e Vetingut kanë zgjedhur që të ngadalësojnë ritmin e tyre. Në këtë mënyrë, dyshimet për përfshirje në korrupsion të zyrtarëve të lartë qeveritarë nuk do të kenë mundësi të hetohen nga SPAK-u, një njësi e posaçme që pritet të ketë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Ja çfarë po ndodh konkretisht: Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përbëhet nga 11 anëtarë. Nga ky total, 5 prej tyre, anëtarë jashtë sistemit të drejtësisë, tashmë janë zgjedhur nga Parlamenti. Pritet të zgjidhen edhe 6 anëtarët prokurorë, 3 nga prokuroritë e shkallëve të para, dy nga Apelet dhe një nga Prokuroria e Përgjithshme.
Ligji ka parashikuar që anëtarët prokurorë të votohen nga mbledhja e përgjithshme e prokurorëve, në përfundim të Vetingut të të gjithë kandidatëve. Pikërisht, në këtë pikë kanë hyrë “në lojë” strukturat e Vetingut, të cilat po e bllokojnë hartimin e listës përfundimtare, pasi ende nuk kanë dhënë vendim përfundimtar për të gjithë kandidatët.
Nga Prokuroria e Përgjithshme kandiduan 3 prokurorë për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Deri më tani, dy janë konfirmuar-konkretisht Anila Leka dhe Kosta Beluri-ndërsa i treti-Ramadan Troci po pret vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Sido që të jetë vendimmarrja për Trocin, kandidatët kalues të deritanishëm nga Prokuroria e Përgjithshme janë të mjaftueshëm për t’u përfshirë në short.
Nga Prokuroritë e Apeleve, edhe një ngërç që u krijua pas shkarkimit të kandidatit Luan Kaloçi, u zgjidh. Në vend të tij kandidon prokurori Bujar Sheshi, i cili, së bashku me të konfirmuarin tjetër, Arben Dollapaj, përbëjnë numrin e nevojshëm për t’u përzgjedhur anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Ngërçi më i madh, aty ku janë përfshirë edhe strukturat e Vetingut, po ndodh me kandidatët prokurorë të shkallës së parë. Nga 11 prokurorë që kandiduan për 3 vende në KLP, 4 prej tyre u rrëzuan në Veting, e konkretisht: Adriatik Cama, Arben Nela, Dritan Rreshka dhe Elsion Sadiku.
Dy kandidatë ende nuk u ka ardhur radha për të kaluar në Veting, pavarësisht se përfshihen në listën e subjekteve prioritare për t’u përfshirë në procesin e rivlerësimin kalimtar- Besnik Cani dhe Shpëtim Kurti.
Në këtë pikë shënohet vonesa e parë serioze e strukturave të Vetingut për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por, nuk ështe e vetmja.
Nga 5 kandidatë prokurorë të nivelit bazë, të cilat kaluan me sukses verifikimin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vetëm dy prej tyre janë konfirmuar përfundimisht në detyrë-Dritan Prençi dhe Vatë Staka.
Tre të tjerët, Antoneta Sevdari, Gentian Osmani dhe Besnik Muçi, megjithëse kaluan me sukses fazën e parë, ende nuk i kanë mbyllur llogaritë me Vetingun. Pas konfirmimit të tyre në detyrë, Komisioneri Publik shprehu kundërshtimin e tij, duke e apeluar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA).
Ky Kolegj, i cili deri më tani ka shqyrtuar në total 4 ankesa nga mbi 30 të tilla që i janë dorëzuar nga gjyqtarët e prokurorët e tjerë të shkarkuar, me shumë mundësi do të trajtojë ankimet e Komisionerit Publik për kandidatët e konfirmuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, diku nga pranvera e vitit të ardhshëm.
Ritmi shumë i ulët i veprimtarisë së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ndikon drejtëpërdrejtë në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e, si rrjedhojë, edhe në krijimin e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Natyrisht, një situatë e tillë është në interes të maxhorancës së Edi Ramës, i cili “i zgjidh” problemet e Dakos, Ballës, Tahirit e të tjerëve, duke mbajtur në detyrë Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku.