Mjaftuan sërish pak minuta shi për të shkaktuar përmbytje në Durrës, ku paralajmërimet mund të vlejnë vetëm për anijet që lundrojnë në det, por jo për njerëzit në rrugët e shndërruar në lumenj.
Moti i keq që ka përfshirë dy brigjet e Adriatikut ka shkaktuar probleme në portin më të madh të vendit, duke pezulluar veprimtarinë përpunuese dhe lundruese të tij. Por jo vetëm në Durrës. Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve Detare ka urdhëruar marrjen e masave nga autoritetet dhe operatorët portualë në të katër portet e vendit, për të shmangur incidentet e mundshme nga dallgëzimi i fortë, që rregjistron forcën 8-9 ballë në det të hapur.
Tragetet e linjës Bari-Durrës, që duhej të niseshin nga Porti i Barit mbrëmjen e së hënës kanë nisur lundrimin drejt Durrësit vetëm mëngjesin e së martës. Edhe tragetet nga Durrësi janë nisur drejt Italisë me disa orë vonesë.
Reshjet e dendura dëmtuan vitrina dyqanesh pranë stacionit të autobusave në Vlorë si dhe pemët kryesisht në zonën e skelës.
Edhe në Vlorë, deti me fuqi deri në 8 ballë e ka bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve lundruese. Nga kapiteneria konfirmohet se të gjitha mjetet lundruese janë urdhëruar që të mos dalin në det për shkak të erës së fortë.