Italia dënohet me një dëmshpërblim prej 156 mijë euro e 20 mijë euro për të mbuluar shpenzimet legale për trajtimin jo njerëzor të kryebosit të Cosa Nostra Bernardo Provenzano.
Gjykata Europiane e të drejtave të njeriut në Strasburg ka dënuar Italinë për trajtimin jo njerëzor të regjimit të ashpër në burg për kryebosin mafioz Bernardo Provenzano nga data 23 mars 2016 e deri në ditën e vdekjes më 13 korrik 2016.
Gjykata e Strasburgut me një vendim të bërë publik sot dënon Italinë për vendimin e kohëzgjatjes së dënimit të regjimit special në burg ndaj kryebosit të Cosa Nostra Bernardo Provenzano.
Për këtë fakt, Gjykata e Strasburgut e ka dënuar Italinë me 156 mijë euro dëmshpërblim ndaj familjarëve të kryebosit mafioz si dhe 20 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e procesit gjyqësor.
Sipas gjykatësve të Strasburgut, Ministria e Brendshme italiane ka dhunuar të drejtat e të burgosurit Bernardo Provenzano duke rinovuar në mars të 2016, pa motive të justifikueshme aplikimin ndaj tij të regjimit të ashpër special të burgimit, i njohur si 41 bis e që aplikohet ndaj persoanve mjaft të rrezikshëm e mafiozë.
Sipas Gjykatës së Strasburgut prej vitit 2015 të burgosurit Bernardo Provenzano i ishte diagnostikuar sëmundja e kancerit e ndodhej në gjëndje të rëndë shëndeësore, e cila ishte mjaft e përkeqësuar në mars të 2016.
Kjo situatë e rënduar e shëndetit të të burgosurit, nënvizon Gjykata e Strasburgut, duhej të ishte marrë në konsideratë e në vëmëndje të veçantë nga Ministria e Brendshme italiane para se të merrej vendimi për rinovimin e regjimit special 41 bis, ndaj Bernardo Provenzano.
Gjykata e Strasburgut nënvizon se në këtë vendim nuk është marrë në konsideratë gjëndja mendore e shëndetësore e të burgosurit, që çon në mangësi të një vlerësimi të pavaruar nga ana e Ministrisë së Brendshme italiane.
Gjykata e Strasburgut pasi ka marrë në vlerësim të gjitha faktet, e konsideron ta papapranueshmë regjimin në të cilën ndodhej i burgosuri Bernardo Provenzano me kushtet e shëndetit si dhe të moshës së tij të thyer.
Rosalba Di Gregorio, avokatja mbrojtëse e familjes së kryebosit mafioz, për mediat italiane shprehet e kënaqur nga ky vendim i Gjykatës së Strasburgut.
“Ne nuk na intereson dëmshpërblimi material, thotë ajo, por pohimi i principit se aplikimi i regjimit të ashpër të burgimit ndaj personave jo më të rrezikshëm për shoqërinë çon në persekutim e është absolutisht ilegale.”
I menjëhershëm dhe i ashpër ka qënë ndaj këtij fakti, reagimi i Ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini, i cili shprehet:
“Gjykata e Strasburgut dënon Italinë se ka mbajtur në burg të rëndë Provenzanon, i dënuar me 20 dënime të përjetshme për dhjetra vrasje të kryera. Kjo është shfaqja e radhës e pavlefshmërisë së punës së këtij Institucioni Europian. Për Italinë vendosin italianët dhe askush tjetër.”
Ndërsa Minsitri italian i Drejtësisë, Alfonso Bonafede, është shprehur se e respekton vendimin e Gjykatës së Strasburgut por regjimi 41 bis në Itali nuk do preket.
Mendoj, tha ai, se vendeve të tjera u duhet vetëm të marrin mësime nga Italia sa i takon normativës Antimafia.”