Përveç reformës në drejtës, parlamenti ka pasur edhe debate të tjera që kanë të bëjnë me investimet në vend, ekonominë si dhe raportet ndërkombëtare.
Një përplasje ka pasur edhe mes Kryeministri Edi Rama dhe deputetes së Partisë Demokratike, Jordida Tabaku.
Nga foltorja e Kuvendit, Rama mori fjalën, për të replikuar mbi fjalimin e Tabakut, e cila akuzoi qeverinë për rënien e nivelit ekonomik lidhur me atë cfarë transmetonin edhe raportet ndërkombëtare sipas saj.
“Për sa i përket raporteve, zonjë apo zonjushë se nuk jam i qartë për statusin, të kërkoj ndjesë për këtë”, tha Rama.
Por kjo fjali ka sjellë replikën e Tabakut, e cila i ka thënë Ramës se është mësuar që të ofendojë femrat, duke marrë në diskutim nëse ato janë apo jo të martuara.
“Nuk harroj që të mendoj se ca diskutimi banal bëhet në këtë parlament, është e martuar apo jo. Rama është mësuar që të ofendojë femrat. Preferoj që në këtë parlament të diskutojmë idetë dhe jo të ofendojmë njëri-tjetri. Ndoshta ju jeni mësuar që të ofendoni, por ne të PD jo”, është shprehur Tabaku.
Ndërkohë, kryeministri Rama iu përgjigj sërish Tabakut, duke nënvizuar asaj se ai i kërkoi ndjesë për titullin ‘zonjushë’, ndërsa e korrigjoi deputeten që mos i drejtohej me ‘ti’.
“Shumë e nderuar deputete, unë ju kërkova ndjesë dhe faleminderit që ma sqaruat zonja deputete. Nuk e di se në cilin libër të edukatës, ju e keni mësuar të më drejtoheni me ‘ti’. Ju s’mund të më drejtoheni me ti. Dakord”.














