Nga Boldnews.al
Janë gra, e askush më mirë se ato nuk do e kuptonin makabritetin fizik dhe psikologjik që i ndodhi vajzës jetime Xhisiela Malokut, e dhunuar, torturuar, kërcënuar e përdhunuar nga Rexhep Rraja, djali i deputetit Socialist Rrahman Rraja. Që të pesta gratë e pushtetshme e lanë pas ndjesinë grua, e bashkë më të edhe ligjin, për tu bërë shërbëtore të qeverisë, deputetit, pushtetit, e mbi të gjitha Xhepit që të rreh, dhunon, kërcënon, bredh me armë në duar dhe sot është i lirë, në Fushë-Krujë, Tiranë e kudo, sepse ka “imunitetin” që ia jep partia.
Skandali u zbulua nga denocimi Oficerit të Policisë Gjyqësore Emiljano Nuhu, tashmë i larguar nga vendi, ku rrëfeu me detaje se për të liruar Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist, pati kërcënim me armë në zyrën e tij nga xhaxhai i të akuzuarit, në prani të deputetëve Rrahman Rraja, Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi. Edhe nëse ndonjë skeptik merr me rezerva nëse ka pasur ose jo kërcënim, ajo që ka ndodhur me të dhunuarën 25-vjeçare, i kapërcen kufijtë e imagjinatës. I gjithë shteti ka rënë para Xhepit të Fushë-Krujës….! Po aq e rëndë është edhe mbështetja që pesë gra të qeverisë, policisë, e prokurorisë po mbrojnë ende të akuzuarin për përdhunim, torturë e pengmarrje.
Drejtoresha e SHÇBA-së Anila Trimi
E para femër që hapi histerizmin qeveritar ishte drejtoresha e SHÇBA-së Anila Trimi, që pasi bëri një koronologji të gjatë në hetimin e thelluar për procedura, letra, denocime, kamera, e çdo objekt tjetër, nuk përmëndi dhunën ndaj Xhisielës. Ajo renditi pesë akuzat që “hetimi i pavaruar” ia ngarkoi nënkomisarit që denocoi rastin Emiljano Nuhu.
Nuk u ndal në skandalin sesi një person i akuzuar për dhunë fizike, torturë dhe përdhunim u la i lirë nga policia. Kishte ngritur një grup të madh pune për të hetuar çdo të dhënë, por ajo nuk gjeti asnjë “shkelje” të punonjësve të komisariateve në Tiranë, Fushë-Krujë dhe Durrës. Aty ku Xhsiela kishte vajtuar e gjakosur me këmbët e saj, por policia nuk reagonte për ndalimin e dhunuesit, Xhepit të Fushë-Krujës.
Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajna
Sapo u mbyll reagimi drejtueses së SHÇBA-së, një tjetër grua që në supe mban gradën e drejtueses së parë, doli në konferencë shtypi. Ajo është numri dy i Policisë së Shtetit Aida Hajna. Para se t’i binte çështjes në “kokë”, bëri një propagandë të gjatë sesi policia kishte hetuar me themel çështjen dhe në fund u ndal në një detaj që e rrëzon përfundimisht pretendimin absurd, se struktura e rendit ka kryer me përpikmëri detyrën dhe zbatuar ligjin.
“Oficeri i policisë Gentian Çitozi, nuk ka vepruar sipas ligjit sepse gjatë marrjes në pyetje të denoncueses ka qenë prezent edhe Rexhep Rraja, ndaj oficeri është pezulluar nga detyra. Më pas është marrë kallëzimi i vajzës. Pavarësisht kërkesës së shtetases që është tërhequr nga kallëzimi, policia ka vazhduar me çështjen. Çdo masë e ndalimit nuk është kompetencë e policisë. Policia nuk e ka ndaluar hetimin, por e ka referuar atë në prokurori”- tha Hajna.
Prokurorja e Krujës Mirela Kapo
Në deklarimet e Oficerit të Policisë Gjyqësore Emiljano Nuhu, konfirmohet se çështja hetimore është ndjekur nga prokurorja Mirela Kapo, që e ka marrë në shqyrtim dosjen më 23 korrik të këtij viti. Edhe pse në momentet e para duket që prokurorja ka pasur tendencë për të arrestuar dhunuesin Rexhep Rraja, veprimet e mëtejshme kanë çeduar nga ana e saj. Në zyrat e Prokurorisë së Krujës mbërriti ekspertiza mjeko-ligjore që konfirmonte se Xhisiela Maloku ishte djegur me cigare në kofshë, kishte hematoma në kërci, shpatull dhe krahë. Gjithashtu në duar prokurorja dhe hetuesit kishin edhe mesazhet telefonike ku Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja e kërcënonte me jetë Xhisielën. As këto nuk mjaftojnë për “dy gisht letër” që është urdhër-arrestimi?! Provat shtohen nga hulumtimi i medias. Në disa foto të publikuara tre ditët e fundit, “Xhepi Rilindjes” shfaqet me armë zjarri kallshnikov apo pranë drogës kanabis. Prova të mjaftusehme për të kërkuar arrestin e menjëhershëm. Gjithashtu absurdi vijon me prokurorinë, ku hetimi është nisur me akuzën e “keqpërdorimit të thirrjeve telefonike” dhe jo për heqje të paligjshme të lirisë, plagosje të lehtë, apo edhe tentativë përdhunimi.
Zëvendësministra e Brendshme Romina Kuka
E veshur me kostum serioz, e mbi të gjithë me diksion prej “intelektualeje”, vulën e fundit për mbrojtjen e Xhepit e dha edhe zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuka. “Pas një hetimi të hollësishëm të rastit të Xhesila Malokut, rezulton qartazi se Policia e Shtetit ka vepruar në mënyrë strikte, konform ligjeve të shtetit dhe procedurave standarde”-tha Kuka.
Gjithashtu vijoi me shprehjet e mësuara përmendësh nga “libri i partisë” që “ngjarja të mos ketë interferime politike”. Nëse policia paska zbatuar në mënyrë rigoroze konform ligjit, përse është pezulluar nga detyra oficeri Gentian Çitozi? Përse strukturat e rendit kur panë dhunën ndaj vajzës nuk kryen arrestimin në flagrancë me iniciativë? Në këtë rast sërish përfaqësueset e qeverisë nuk kanë përgjigje. Po kjo zëvendësministre nuk u ndal në raportin mjeko-ligjor që konfirmoi se 25-vjeçarja Maloku ishte dhunuar, fyer, përçudnuar e djegur në trup nga Xhepi i Fushë-Krujës, djali i deputetit.
Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku
Ajo ka nisur ta quajë veten “grua të hekurt”, që me një urdhër të saj, qoftë edhe gojor, të pezullon, trasferon e madje urdhëron masa disiplinore, por në rastin e Xhisiela Malokut, vajzës jetime që përjetoi dhe po përjeton dhunën e tmerrshme fizike e psikologjike, Arta Marku ka “folur me heshtje”, asnjë reagim prej saj. Nëse zonja që drejton Prokurorinë e Përgjithshme do interesohej për hetimet në Prokurorinë e Krujës, me siguri kjo e fundit do vihej në lëvizje.
Minimalisht do merrte në pyetje Rexhep Rrajën, (Xhepin e Fushë-Krujës). Po ky djalë deputeti, e “Zot” i fshatit Zezë, është një “hero” i vërtetë, ndryshe nuk shpjegohet sesi në dy ditë rresht, të gjithë gratë e pushtetshme të qeverisë, policisë dhe prokurorisë e lenë Xhepin të lirë duke i lënë të kuptojë se faji i vetëm në këtë rast është i vajzës që u dhunua dhe oficerit të policisë që denocoi!