Kur ishte 29 vjeç, Çarls Darvin, shkencëtari anglez i njohur si “Babai i Evolucionit”, u gjend përballë një dileme serioze:nëse duhej të martohej me një grua apo jo. Shkencëtari nuk mori kurrë një qasje më praktike se sa ndaj këtij vendimi, duke analizuar të mirat dhe të këqijat në një shënim të hedhur në një bllok në një ditë korriku të vitit 1838.
Në fund, analiza anoi në favor të martesës, që do të thotë se problemi tani ishte gjetja e një gruaje. Sërish, Darvini përdori një qasje shumë pragmatike. Gruaja që ai zgjodhi, duhet të ishte dikush që shqetësohej për të, dhe që tashmë e njihte shumë mirë. Fatmirësisht, kishte kandidaten e përsosur në mendje.
Natyralisti ishte shumë i dhënë pas 30 vjeçares Ema Uexhud, dhe sigurisht e njihte atë prej një kohë shumë të gjatë – duke qenë se ishin kushërinj të parë. Edhe pse ka më shumë për historinë e Ema Darvinit, kjo martesë inçestuese me një nga mendimtarët më të rëndësishëm të historisë, është ajo që e përkufizoi për mirë dhe keq jetën e saj.
Martesa midis kushërinjve
Pasi Ema pranoi propozimin e Çarlsit në nëntorin e vitit 1838, të dyja familjet e pasura Uexhud dhe Darvin, ishin jashtëzakonisht entuziaste për çiftin e ri, pavarësisht lidhjes së ngushtë të gjakut mes nuses dhe dhëndrrit.
Në fakt, martesat midis kushërinjve mbeteshin ende mjaft të zakonshme në Europë gjatë gjithë shekullit XIX-të (Mbretëresha Viktoria ishte e martuar me kushëririn e saj të parë) dhe familjet Darvin dhe Uexhud ishin veçanërisht të prirura për këtë praktikë; katër nga vëllezërit e motrat Emës ishin martuar me kushërinjtë e tyre.
Që nga lindja e Emës në Stafordshajër në vitin 1808, familja e saj kishte banuar pranë asaj të Çarlsit. Si një vajzë dhe pastaj një grua e re, ajo ndoqi shkolla të ndryshme, vizitoi Europën dhe kujdesej për nënën dhe motrën e saj (që të dyja vuanin nga sëmundje të ndryshme), duke mbajtur kontakte të ngushta me Çarlsin, i cili ishte tashmë një shkencëtar i njohur.
Dhe kur dy kushërinjtë e afërt njoftuan martesën mes tyre, familjet e tyre ishin të kënaqura.
Megjithatë, një anëtar të familjes nuk ishte shumë entuziast për këtë lidhje. Gjysmë-kushëriri i Çarlsit, shkencëtari Frencis Galton (i cili shpiku termin “eugjenika”), e paralajmëroi atë rreth rreziqeve të mundshme që kishte kryqëzimi i një linje të afërt gjaku.
Ndoshta frika e Galtonit nuk ishte e pajustifikueshme, pasi 38 prej 62 pasardhësve të gjyshit të Çarlsit dhe Emës, nuk asnjë kishin fëmijë që t’i kishte mbijetuar fëmijërisë së hershme. Dhe përsa i përket Mbretëreshës Viktoria, fëmijët dhe nipërit e saj shkaktuan përhapjen e hemofilisë nëpër shtëpitë mbretërore të Europës.
Megjithatë, martesa u zhvillua pa asnjë pengesë në janarin e vitit 1839, në një ceremoni të drejtuar nga një kushëri tjetër, Reverend Xhon Alen Uexhud. Nga të gjitha aspektet, martesa midis Ema Darvinit dhe Çarlsit ishte e lumtur, përkundër faktit se ajo ishte mjaft fetare, dhe shpesh e shqetësuar nga dyshimet shpirtërore të bashkëshortit të saj shkencëtar.
Në fakt, babai i Çarlsit, e kishte paralajmëruar të birin të mos ia përmendte idetë e tij më blasfemuese gruas së tij të ardhshme, por biologu gjithsesi ia besoi ato kushërirës së tij.
Sidoqoftë, ajo ende pranoi të martohej me të, duke deklaruar:”Ai është njeriu më i hapur dhe më transparent që unë kam njohur, dhe çdo fjalë shpreh mendimet e tij të vërteta”.
Në këmbim, Çarlsi shkroi se ai mendonte se ajo do të “më humanizojë dhe më mësojë shpejt se ka më shumë lumturi, sesa teoritë e ndërtimit, dhe grumbullimi i fakteve në heshtje dhe vetmi”. Përkundër gjetjes së një mënyre për ta bërë martesën të funksionojë, duke pasur parasysh spiritualietin dhe blasfeminë e tij, çifti nuk ishte tërësisht i paprekur nga pasojat negative të bashkimit të tij incestuoz.
Çështja e shëndetit të djemve
Dhjetë fëmijët e Ema Darvinit me Çarlsin ishin shpesh të sëmurë, dhe 3 nuk i mbijetuan fëmijërisë së hershme. Nga të shtatët që mbijetuan, disa raporte thonë se tre ishin shterpë. Çarlsi duhet të ketë kujtuar paralajmërimin e mëparshëm të Galtonit kur shkruante:”Kur dëgjojmë se një burrë mbart në trupin e tij farat e një sëmundjeje të trashëguar, ka shumë të vërteta në këtë shprehje”.
Djali i çiftit, Çarls xhunior, vdiq ndërsa ishte vetëm një foshnje, vajza Henrieta ishte shtruar për vite në spital me sëmundje të aparatit tretës, Xhorxhi, Horaci dhe Elizabeta vuajtën nga konvulsione të shpeshta. Dukej se çdo fëmijë kishte të paktën disa sëmundje, çka e çoi në dëshpërim Çarlsin. “Ne jemi një familje e mjeruar, dhe me gjasë do të shfarosemi!”.
Në fakt, Çarlsi shpesh ishte i brengosur për zgjedhjen e gruas, dhe atë se si lidhja e tyre e ngushtë e gjakut, mund të kishte ndikuar negativisht tek fëmijët e tij. Ai madje kreu eksperimente të shumta me kryqëzimin midis bimëve, në mënyrë që të përpiqej të analizonte shkencërisht pasojat gjenetike.
Ai zbuloi se ka pasoja negative në lidhjen në martesë mes të afërmve të ngushtë (për shkak të një shansi të rritur të shfaqjes së tipareve të dëmshme recesive), dhe studimet pasuese mbi njerëzit e kanë bërë këtë të qartë. Tek e fundit, rezultoi se Çarlsi kishte të drejtë të shqetësohej, sikurse e provoi edhe analiza e vitit 2010 e pemës së tij familjare.
Çarlsi duhet të ketë kaluar të paktën disa nga shqetësimet e tij, në lidhje me rreziqet e kryqëzimit mes njerëzve me lidhje të afërta të gjakut tek djali i tij Leonard, i cili u bë kryetar i Shoqërisë Britanike të Eugjenikës në vitin 1911. Çuditërisht, kjo nuk e ndaloi atë të ndjekë traditën e familjes, dhe të martohej me kushërirën e tij të pare, në mospërfillje të plotë për disa prej teorive të tjera të babait të tij të famshëm.
Përsa i përket Ema Darvinit, ndërsa shumë nga fëmijët e saj patën një jetëgjatësi të pakët, ndoshta falë pasojave të kryqëzimit mes dy pjesëtarëve të një fisi. Vetë ajo pati një jetë të gjatë e të shëndetshme. Pasi Çarlsi vdiq më 1882-in, ajo jetoi deri në 1896, kur vdiq në Bromlej në moshën 88 vjeçare.