Në Forumin për Tiranën, Profesor Artan Fuga foli me shqetësim për planin urbanistik të Tiranës, sipas konceptit të arkitektit italian, Stefano Boeri. Ai tha se modeli urban që propozon Boeri, pa u analizuar mirë dështimi i modelit që është ndjekur drei tani, është lemeritës. Sipas Profesor Fugës, Boeri duhet të ndalet që të zhvillojë idetë e tij, pasi janë të dëmshme për Tiranën.
Më poshtë fjala e plotë:
Faleminderit që më ftuat të marr pjesë dhe të flas në këtë Forum për Tiranën të moderuar nga Prof. dr. Besnik Aliaj.
Kërkoj leje nga Ju të nderuar miq dhe solidarë për të shprehur edhe unë disa mendime.
Unë jam shumë dyshues tek konceptet me të cilat operon dhe komunikon arkitekti Boeri që ka ardhur në Tiranë, që prezantohet si personi që konceptualizon urbanizimin e ardhshëm të Tiranës; dhe më shqetësojnë idetë që ai shpreh nga tarraca e Bashkisë.
Por, paraprakisht desha të them që, unë shikoj që kjo ide e tij për shkatërrim dhe ribërje ndërtesash, më duket se mbyll një fazë të urbanizimit të Tiranës në këto 25 vite, të cilat unë personalisht i kam quajtur të dështuara, qytet që ka rënë, që do binte dhe në gjykimin tim, unë jam gati në një rast tjetër ta argumentoj, hipotezën time se konfiguracioni urban i Tiranës, i zgjeruar me metastaza, ku mblidhet 1/3 e popullësisë shqiptare, dhe kjo quhet si një grandomani e theksuar, për mua, ky konfiguracion urban, është shkaku i krizës ekonomike, sociale, dhe modelore të gjithë shoqërisë shqiptare.
Forma urbane e Tiranës ka hedhur në kaos gjithë Shqipërinë.
Ne na ka zhytur, ne jemi mbledhur në Tiranë, dhe Tirana na ka zhytur, na ka zënë brenda.
Kur dëgjoj që ky personazh, arkitekti që jep intervista nga tarraca e Bashkisë, flet për idenë e shkatërrimit, mua më duket sikur ky është zëri i asaj që pranon që ne e arritëm limitin e fundit të një modeli të gabuar urban.
Dhe po të ishte se do të kishte një autokritikë dhe duhet të shkatërronim për të ndërtuar një model tjetër, unë do të isha shumë dakort. Se kur bëhet një e keqe, më e mira e kësaj të keqeje, është që të jetë reversibël, pra të kthehet, të ketë mundësi të kurohet.
Dhe këtu vijmë tashti që na prezantohet një model i dytë, ku përmes shkatërrimit, i cili ka kosto të jashtëzakonshme për të cilat nuk mban asnjëri përgjegjësi, na përplasen delire që të trembin.
Dhe në fillim duhet thënë: “Ç’është kjo energji dhe kapital financiar I shqiptarëve që në 25 vjet u derdh në mënyrë të gabuar, dhe tashti më një fjalë goje të një teknicieni që higjenizon qytetin me metodat e Mesjetës, të rindërtohet ai edhe një herë!!!
Ne kemi ardhur këtu edhe njëherë te Rozafa, por nuk jemi një popull që ndërtojmë, prishim, shkatërrojmë, vërtet e kemi legjendën e Rozafës, por ne duam t’i ikim atij kompleksi. Është legjenda e Rozafës që na vjen nga një “plak” simbolik që në këtë rast është arkitekti Italian, i cili na kërkon që të murosim gruan e vëllait të vogël të shtëpisë.
Dhe ky model i dytë urban që na propozohet pa u analizuar mirë dështimi i të parit, mbështetet në disa koncepte që janë shprehur, mua, me thënë të drejtën, të më falin kolegët që janë specialistë, më lemerisin.
E para: Koncepti i parë i këtij Boerit na çudit duke na thënë që një qytet me dendësi sa më të madhe të popullsisë, është një qytet me më pak kosto.
Po, sigurisht. Mbase për ndërtuesit, por jo për ne banorët. Unë e kuptoj që mund të ndërtosh një pallat të madh, harxhon më pak kohë, harxhon më pak kapital për rentën e tokës dhe për instalime etj., dhe mund të futësh atje, mund të vendosësh atje shumë më tepër familje për banim. Po ky konceptim është krejtësisht jo-financiar, jo me rendiment, një instrument krejt idiot i përllogaritjes së kostos urbane. Sepse kostua nuk përllogaritet thjesht në këtë mënyrë, nuk është thjesht kosto e ndërtuesit, por për mendimin tim dhe kjo është e vërtetuar tashmë në Shqipëri, duke futur një densitet shumë të madh të popullësisë në Tiranë, ne kemi larguar kombin shqiptar nga burimet.
Kush e paguan këtë kosto? Koston e braktisjes të pasurive tona natyrore, nga lumenjtë, nga fushat, nga malet, nga livadhet, nga të gjitha, nga deti, dhe jemi mbledhur të gjithë këtu.
S’ka ekonomist sot që nuk pranon që një densitet i lartë i popullsisë në një territor të njëjtë, rrit çmimet. Kosto e jetës, e mallrave, e shërbimeve, është jashtëzakonisht e kushtueshme. Oferta e madhe rrit cmimet e mallrave dhe shërbimeve.
Së treti, janë kostot jo-financiare që duhen marë në shqyrtim, që janë kostot mbi shëndetin, mbi psikologjinë e njerëzve, mbi jetën sociale, mbi familjen, e tërë me rradhë. Dhe më shumë, në sociologjinë e sotme dhe ekonominë e sotme bashkëkohore, flitet për një qytet i cili densifikohet në këtë mënyrë, krijon papunësi dhe koston e papunësisë rëndon pastaj mbi pagat, dhe mbi të gjitha elementët financiare që japin mirëqënie në një shoqëri.
Unë i qëndroj kësaj që koncepti i parë i Stefano Boerit është absolutisht i gabuar, dhe vendim-marrësit duhet të kenë kujdes që të mos i marin të gjitha paret që shndërisin sikur janë pare të vërteta meqë shkëlqejnë.
Dhe ajo që më shqetëson tjetër është një lloj amatorizmi propagandistik i këtij arkitekti që unë nuk e njoh, por nuk pranoj të më flasë e të jetë mesazheri dhe zëri i pushtetit që kam zgjedhur unë, apo s’e kam zgjedhur dhe e kanë zgjedhur të tjerët, është një çështje tjetër.
Ai na thotë që kështu kemi vepruar në Berlin, në Milano, në Londër. Unë po them që të krahasosh Tiranën më Londrën, do të thotë të mos kesh asnjë ide mbi tipoligjizimin e realiteteve sociologjike dhe urbane dhe të krahasosh Londrën, një qytet kozmopolitan, financiar, një qytet i cili rrezaton nga pikëpamja e një aktiviteti që e ka ai por që nuk mund ta ketë kurrë Tirana, një qytet rajonal, gjysëm-oriental, i një shoqërie relativisht të varfër, që kërkon përzgjedhje tjetër; mua kjo më krijon atë kaosin konceptual në të cilin unë shikoj të zhytur publikun nga arkitekti Boeri.
Dhe e fundit, koncepti i fundit që mua më ka frikësuar dhe më ka revoltuar, dhe i bëj thirrje intelektualëve shqiptarë dhe teknicienëve shqiptarë, të shohin mirë anën konceptuale dhe të ballafaqohen në mënyrë alternative, dhe vetes time për të evidentuar ato strategji konceptuale që janë të drejta : ai flet për “zhvendosje të të drejtave volumetrike”.
Unë e kuptoj si koncept, e kuptoj dhe që i përdorur në një kontekst tjetër, sigurisht mund jetë një mekanizëm zhvillues urban. Por kur italiani më thotë që disa hapësira që s’mund të ndërtohen brenda Tiranës, të zhvendosen si të drejta për t’u ndërtuar jashtë Tiranës, që Tirana të shkojë drejt Durrësit, kjo për mua do të thotë që, hapësirat që s’mund të ndërtohen në Tiranë, që mund të jenë kopshtie, mund të jenë distanca që duhen respektuar etj., etj., t’i transformojmë për pronarët në të drejtë të tyre për të betonizuar terrenin bujqësor dhe të gjithë tokën bujqësore nga Tirana në Durrës, do të thotë që do të ndodhi ajo që urbanistët (ju e dini më mirë se unë) e quajnë një dinamikë kancerogjene e qytetit, që metastazat e veta të qelizave të sëmura në qendër i shpërndan gjithandej, dhe ky është rreziku që ne të vijmë në një model të dytë, i cili është një pëpjekje për të zgjidhur krizën dhe rënien e modelit të parë që është Tirana, me një model të dytë që është një krizë dhe më e madhe dhe që pas 20-30-40 vjetësh ata që do të vijnë do të detyrohen ta shkatërrojnë, ose do t’i zërë dhe ata brenda.
Arkitekt Stefano Boeri duhet të ndalet që të zhvillojë në praktikë këto ide të dëmshme për Tiranën.