Nga Boldnews.al
Reforma në Drejtësi në Shqipëri, ajo që sot ka kapitulluar sistemin gjyqësor, është produkt i ekspertëve europianë të sponsorizuar nga Johanes Hahn e Federika Mogerini, në bashkëpunim me njërin krah politik vendas-atë që përfaqësohet nga Edi Rama dhe vartësit e tij.
Të dyja këto palë organizuan gjithçka që kjo Reformë të përmbyllej brenda mandatit të tyre, për ta konsideruar si trofe të rëndësishëm politik. Në fakt, arritën ta përmbyllnin, përkundër reagimeve të forta të opozitës shqiptare. Reforma në Drejtësi, kështu siç po e e shohim sot, është një dizastër.
Të njëjtin term “pezhorativ” përmendi edhe komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn, kur deklaroi në Tiranë para pak javësh se “do të jetë dizastër nëse Shqipëria mbetet pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë për shkak të vetingut”.
Por nuk është më shumë “dizastër” mungesa aktuale e Gjykatës Kushtetuese se sa fakti që nuk dihet se kur ajo do të ngrihet sërish. Një tabor zyrtarësh europianë, përfshirë “ministren” e Jashtme të BE, Federika Mogerini, ambasadoren e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckeinstein, sot kërkojnë me ngulm nga autoritetet shqiptare që të angazhohen për të mbushur boshllëqet në gjykatat supreme shqiptare.
Por, të njëjtët, jo vetëm që nuk i pranuan kritikat e opozitës, por i kundërshtuan me forcë, i kërcënuan dhe i ushtruan presion zyrtarëve të Partisë Demokratike, kur këta të fundit lëshonin paralajmërimet se kjo Reformë do të sjellë bllokimin e sistemin të drejtësisë dhe kalimin e tij në diktatin e maxhorancës së Edi Ramës.
Sot, asnjë prej këtyre shefave të Bashkimit Europian nuk merr përgjegjësi për “dizastrën” në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Topin ua kalojnë sërish palëve politike në Shqipëri. Më në fund, Hahn-Mogerini-Vlahutin e pranojnë se në vendin tonë paska “palë” politike, ndërkohë që gjatë dy viteve të fundit pranuan që të luanin vetëm me një lojtar, Edi Ramën.
Për të kuptuar “dizastrën” e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, është shumë e rëndësishme të shpjegohet, me ligjet e reja të Reformës në Drejtësi, se sa shumë kohë nevojitet për ta ringritur këtë gjykatë supreme.
Është një skemë e ndërlikuar procedurash, afatesh, mish-mash institucionesh, të cilat të çojnë të gjitha në një përfundim-vonesë pa afat në krijimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese u përfshi në procesin e Vetingut, kur kishte 8 nga 9 anëtarë (një vend ishte vakant prej dy vitesh). Së bashku me këtë mungesë, sot, Gjykata Kushtetuese ka zyrtarisht 4 vende vakante, të krijuara nga: dorëheqja e Vladimir Kristos e Besnik Imerajt dhe shkarkimi përfundimtar i Fatos Lulos nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Ndërkohë, nuk dihet ende fati përfundimtar i tre anëtarëve të tjerë, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari, për të cilët, shkalla e parë e Vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur që ata duhet të shkarkohen. Gjithashtu, nuk dihet fati përfundimtar i kryetarit, Bashkim Dedja, i cili, megjithëse e kaloi Vetingun në shkallën e parë, do të përballet me ankimin e Komsionerit Publik, i nxitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Në secilin rast, Gjykata Kushtetuese do të ketë vakanca, numri i të cilave do të mësohet në përfundim të shqyrtimit të ankimeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Këto vakanca duhet të plotësohen nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendit, në bazë të një liste kandidatësh që duhet të përgatisë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED). Ky Këshill përbëhet nga 9 anëtarë, me një mandat 1-vjeçar, nga janari 2018 deri në janar 2019.
Aktualish, KED është jashtë funksionit, pasi 4 nga 9 anëtarët e tij, përfshirë edhe kryetarin, janë rrëzuar nga shkalla e parë e Vetingut, e konkretisht: Artan Broci, Altina Xhoxhaj, Gentian Trenova e Rovena Gashi. Vetëm një anëtar është konfirmuar zyrtarisht, Fatjona Memçaj, ndërkohë që tre të tjerë ende nuk kanë dalë para vetingut (Fatos Qato, Ahmet Jangulli e Enton Dhimtri).
Anëtarët e shkarkuar të KED kanë ankimuar ose janë në proces ankimi të vendimit të Komisionit të Vetingut. Fati i tyre përfundimtar do të vendoset nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili, me shumë mundësi, nuk do të arrijë në konkluzione brenda këtij viti. Pra, vendimi i Kolegjit më shumë do të ndikojë në karrierën e tyre si gjyqtar e prokurorë se sa si anëtar të KED-së. Kur të përfundojë Kolegji shqyrtimin e ankimeve të tyre, ata do të kenë përfunduar mandatin 1-vjeçar si anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Pra, ky Këshill, përfundimisht nuk mund të listojë kandidatët për Gjykatë Kushtetuese. Do të duhet krijimi i KED-së së re, e cila zgjidhet me short nga Presidenti i Republikës e, në mos-angazhim të tij, nga Kuvendi i Shqipërisë.
Presidenti Ilir Meta, për shkak të mungesës së dispozitave ligjore, refuzoi ta zhvillonte shortin në fillim të vitit 2018. Me shumë mundësi, për shkak po të problematikave ligjore, ai sërish nuk do ta zhvillojë këtë short, i cili pritet të hidhet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Shorti do të përzgjedhë 9 anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këta të fundit do të përfshihen në procesin e Vetingut, i cili do të dojë rreth 7-8 muaj kohë, aq sa i është nevojitur Komisionit të Vetingut që të zhvillojë procedurat për çdo subjekt deri më tani.
Nëse, në rastin më të mirë, anëtarët e rinj të KED-së kalojnë Vetingun, diku nga vera e vitit të ardhshëm, atëherë ata do të duhet të listojnë kandidatët për vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese. Këta të fundit, do të duhet të kalojnë procesin e Vetingut, para se të marrin zyrtarisht termin “kandidat” për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Pra, do të duhet të kalojnë edhe rreth 7-8 muaj të tjerë, pra, diku nga fillimi i vitit 2020 që të zgjidhen gjyqtarët Kushtetues.
Deri në atë kohë, shefat e BE-së, Hahn-Mogherini-Vlahutin, me shumë mundësi nuk do të jenë në funksionet e tyre. Shqipëria dhe Reforma në Drejtësi do të jetë një kokëçarje më pak për ta. Ndërkohë, në vendin tonë, komentues publikë e skalionet anonimë që paguhen për të justifikuar çdo veprim të maxhorancës së Edi Ramës, do të vijojnë të thonë se: “Më mirë pa gjykata sesa me gjykata të korruptuara!”. Askush prej këtyre komentuese nuk do të kërkojë llogari maxhorancës se ka përgjegjësi, sëbashku me shefat europianë, që hartuan një Reformë dizastër.