Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Ilir Deda i ka dërguar një letër të hapur presidentit të vendit, Hashim Thaçi, të cilit i ka kërkuar të dorëhiqet nga posti që ka. Në letrën e publikuar në profilin e tij në Facebook, Deda shkruan se nëse Thaçi nuk dorëhiqet, atëherë Kuvendi do të nis procedurat për shkarkimin e tij.
Pasi, sipas Dedës, dorëheqja e Thaçit do të shpëtonte vendin nga shkatërrimi dhe ai do të mund të jetonte si qytetar që ka pranuar gabimet e veta.
LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, z. Hashim Thaçi
I nderuari z. President,
Veprimet e Juaja, tash të shpërfaqura edhe publikisht në lidhje me “korrigjimin e kufijve” të shtetit tonë me Republikën e Serbisë, që e nënkupton ndarjen e Kosovës, janë thellësisht veprime anti-shtetërore dhe janë në kundërshtim të plotë me interesat vitale kombëtare.
Mandati i Juaj e përcakton në mënyrë eksplicite ruajtjen e rendit kushtetues, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës. Ju, në mënyrë të vetëdijshme, jeni duke e cenuar pikërisht këtë mandat. Angazhimi i Juaj politik për ndarjen e Kosovës është aventurë politike që do të shpien vendin tonë në tragjedi njerëzore me ç’rast edhe vetë ekzistenca e shtetit do të vihet në pikëpyetje, duke e zhbërë atë.
Ju nuk jeni duke menduar as për njerëzit as për resurset ekonomike në territoret që doni t’i “korrigjoni”. Sa për rikujtim për Juve në rast se nuk e dini, apo keni harruar:
-12% e Trepçës ndodhen në veri të lumit Ibër.
-Liqeni i Gazivodës, 75% e të cilit ndodhet në Kosovë, është projektuar dhe ndërtuar me kredi ndërkombëtare nga ana e Qeverisë së Kosovës në ish-RSFJ, për nevojat e e qytetarëve dhe zhvillimin e Kosovës.
-Liqeni i Gazivodës furnizon me ujë të pijshëm dhe bujqësor Rrafshin e Kosovës, si dhe bën ftohjen e gjeneratorëve të termoelektranave në Obiliq, pa të cilin ato nuk do të funkcionojnë. Falja e Gazivodës e lenë Kosovën pa ujë dhe pa energji elektrike.
-Për më tepër, në katër komunat veriore përpos rreth 35,000 serbëve, jetojnë edhe rreth 8,000 pjesëtarë të popujve të tjerë. Rreth 5,000 shqiptarë jetojnë në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Të gjithë ata së bashku janë nën presion të rrjeteve të krimit të organizuar të cilat bashkëpunojnë për së afërmi si me Qeverinë e Republikës së Serbisë, ashtu edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Ju asnjë nga këto fakte nuk i merrni parasysh, por për arsye që i dini vetëm Ju, lehtësisht i anashkaloni thua se nuk ekzistojnë.
Populli jonë në Luginën e Preshevës është anashkaluar pikërisht nga Ju për më shumë se një dekadë. E tani që po “mirreni” me ta, në vend që t’i shndërroni në viktima shqiptarët në Luginën e Preshevës, Ju duhet të angazhoheni për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së tyre. Ju po e injoroni faktin që Serbia e ka ndërtuar bazën e saj më të madhe ushtarake në afërsi të Bujanovcit, mu në mes të Luginës së Preshevës, e cila shërben jo vetëm si kërcënim ndaj shqiptarëve të Luginës, por edhe ndaj Kosovës. Poashtu, vetëm Ju përpiqeni t’i hidhni hi syve të popullit shqiptar në Luginë se Serbia do ta lente edhe autostradën dhe hekurudhën Beograd-Selanik – që e ndanë përgjysmë Luginën – në kontrollë të Kosovës. Pretendimi i Juaj që Serbia do të heqë dorë nga ky territor me interes të lartë strategjik për te është vetëm një mashtrim, dhe asgjë më shumë. Por ky mashtrim i Juaji mund t’i kushtojë më se shumti shqiptarëve të Luginës.
Angazhimi i Juaj anti-shtetëror, anti-kushtetues dhe anti-kombëtar jo vetëm që nuk do ta zgjidhë konfliktin “shqiptaro-serb”, por do të prodhojë tragjedi njerëzore si për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në pjesën veriore të Kosovës, ashtu edhe për serbët në jug të lumit Ibër. Përkufizimi territorial-etnik dhe zhvendosja e popullatës nuk është as më shumë e as më pak se sa zbatim i projektit fashist të “Memorandumit” famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë dhe të establishmenteve shtetërore të Serbisë në tri dekadat e fundit.
Prandaj, Ju bëj thirrje publike që pa ekuivoke të tërhiqeni nga aventura të tilla politike dhe të jepni dorëheqje. Dorëheqja e Juaj do ta shpëtonte Kosovën nga shkatërrimi, dhe Juve do të ju mundësonte që të jetoni në Kosovë si një ish-udhëheqës dhe qytetar që i ka pranuar gabimet e veta, dhe është penduar për ato. Pranimi i gabimit është akt fisnikërie, ndërsa zbatimi i planeve për zhbërje të Kosovës është krim dhe tradhëti.
Nëse Ju nuk jepni dorëheqje të menjëhershme, do të ndesheni me Kuvendin e Kosovës, të cilit nuk i mbetet rrugë tjetër përpos të fillojë procedurën e shkarkimit Tuaj nga pozita e Presidentit të Kosovës për shkak të rrezikimit të tërësisë territoriale të Kosovës dhe rendit të saj kushtetues. Ndërsa, historia do të Ju mbanë në mend si njeriu që e shkatërroi shtetin e Kosovës, për të cilin dhanë jetën dhe kontribuan gjenerata të tëra në 100 vitet e fundit.
Sinqerisht,
Ilir Deda