Sot u prezantua libri “Për Ardian Klosin, Gjermanin nga Shqipëria”, përgatitur nga historiani dhe miku i tij, Oliver Jens Schmitt”.
I pranishëm ishte dhe kryeministri Rama i cili ishte dhe mik i publicistit Ardian Klosi. Gjatë fjalës së tij e vlerësoi Klosin edhe si një aktivist të flaktë të shoqërisë civile, ndër të parët, që nisi të mbledhë firmat për të mos lejuar prishjen e Piramidës.
“I përkiste një lloj shkolle që nuk e pranonte intelektualin si koncept jashtë angazhimit. Për Ardianin intelektuali ishte ai që rron me të vërtetën. Arsyeja pse përkthente ishte nevoja për higjenë. Nëse nuk do kishte atë trazim të madh që i vinte së brendshmi por që agravohej nga injoranca dhe pisllëku nuk do kishte përkthyer. Për shkak të nevojës për të bashkëjetuar, pra përkthimi ishte mundësi për të bashkëjetuar në një shoqëri me të tjerë që i zgjidhte vetë, komunikonte me ta ishte një lloj rruge në arrati, ashtu sikurse ishte një lloj flirti me të vdekurit. Vdekja ishte një fuqi që tek Ardiani vepronte në mënyrë të pavetëdijshme, e kishte me vete, nuk e shmangte atë. Në flirt me të vdekurit që i zgjidhte vetë trazimi i tij rritej, mendja e mprehtë që kishte ia rëndonte trazimin”, u shpreh Rama.
Rama u shpreh se shpesh herë me Klosin flisnin për vdekjen, madje ai i pati thënë se do të vriste veten, pa e ditur se kështu do të ndodhte vërtet.
“Ndarja e tij nga jeta është fatkeqësi për kulturën shqiptare ndërsa gjykimi për të është ai i një njeriu të madh. Unë jam dëshmitar i faktit që ne kemi folur shumë herë për mënyrën si mund të ndodhte, unë gjithmonë i thoja që ti do vrasësh veten. Unë asnjëherë me vetëdije se kisha menduar që kështu do ndodhte. Kur ai ndërtonte shtëpinë tek liqeni thoshte do bëj një papafingo aty lart dhe kur unë shkoja ndonjëherë në muzg i thoja që pasi do ngrihen dy rosa, pastaj do merrej vesh lajmi që Ardian Klosi nuk na tha lamtumirë , por ik pirdhuni” e mbylli fjalën e tij Rama.
Gjatë prezantimit familjes së tij iu dorëzua edhe çmimi “Ardian Klosi”, për librin më të mirë publicistik të vitit 2015, financuar nga fondacioni “S. Fischer”. Një çmim ky, i cili është akorduar për dy vite me radhë gjatë aktivitetit “PaMur”, që nuk pati pritshmërinë e duhur.