Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës kanë vrarë të paktën 50 njerëz në zonat perëndimore të Japonisë, ndërkohë që dhjetra të tjerë figurojnë të zhdukur.
Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në prefekturën e Hiroshimës, e cila është goditur nga shiu i rrëmbyeshëm që nga e enjtja. Qindra shtëpi janë dëmtuar.
Rreth 1.5 milionë njerëz janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe më shumë se tre milionë të tjerë janë këshilluar ta bëjnë këtë gjë.
Mijëra policë, zjarrfikës dhe ushtarë po marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Disa nga viktimat janë varrosur të gjallë nga rrëshqitjet e tokës, njofton agjencia e lajmeve Kyodo e Japonisë.
Në qytetin e Motoyama, rreth 600 km në perëndim të kryeqytetit Tokio, prej të premtes dhe deri mëngjesin e së shtunës ka rënë rreth 583 mm shi, tha agjencia meteorologjike e Japonisë.
Ndërkohë reshje më intensive pritet të ketë gjatë ditëve të ardhshme.
Kyoto, rreth 300 km në lindje të Hiroshimës, është goditur gjithashtu nga rrebeshi.
Ministri i Mbrojtjes Itsunori Onodera tha se 21,000 trupa të tjera janë në gjendje gatishmërie.
Ndërsa banorët kërkonin strehim nga rrëshqitja e dheut, prodhuesit gjigandë të automobilëve, Mitsubishi dhe Mazda i ndaluan operacionet në disa uzina, ngaqë vërshimet shkatërruan rrugët e furnizimit dhe rrezikuan sigurinë e punëtorëve.
Të shtunën në mbrëmje, jugu i kryeqytetit Tokio u godit nga një tërmet me forcë 5,9 ballësh, që tronditi ndërtesat e qytetit. Nuk ka patur njoftime për dëme, apo të plagosur.













