Aktori i njohur Neritan Liçaj është larguar në mënyrë demonstrative nga dëgjesa që po zhvillon kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me artistët për Teatrin Kombëtar.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se e dinte se çfarë do ndodhte duke aluduar se Liçaj dhe të gjithë ata që janë kundër marrin urdhra nga opozita.
“E kisha në celular se çfarë do thoshte. Di më shumë gjëra se ç’dalin në televizor”, tha Veliaj.
JA ÇFARË THA NERITAN LIÇAJ
Me të marrë fjalën Neritan Liçaj deklaroi se nuk ka asnjë konsensus pa tërhequr projekt ligjin që grabit tokën publike të TK-së.
Ai u shpreh në emër të Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar se ka vetëm një rrugë që palët të mund të fillojnë të flasin. “Ka vetëm një kusht që ne nuk e negociojmë. Të tërhiqet projek-ligji”, tha Liçaj.
DEKLARATA E PLOTË
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar me përgjegjësi të lartë qytetare i bënë me dije cdo qytetari të Republikës kudo ai ndodhet se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë konsensus me askënd sa kohë nuk tërhiqet projekt-ligji i cili grabit tokën publike të Teatrit Kombëtar.
Teatri Kombëtar dhe prona ku ai ngrihet është pasuri publike në aspektin ligjor dhe shpirtëror ndaj sigurojmë cdo qytetar se do e mbrojmë pa asnjë lëshim.
Komuniteti i aktorëve, Shoqërisë Civile dhe qytetarëve të angazhuar që janë bashkuar në qëndresën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkon dialog dhe bisedime konstruktive për rikonstruksionin e godinës aktuale si një vlerë dhe kujtesë historike.
Gjithashtu jemi të hapur për ndërtimin e një godine të re Teatri bashkëkohor në një vend tjetër publik me para publike. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të gjejmë formulën se si mund ti vijmë në ndihëm shtetit për mbledhjen e fondeve të kërkuara.
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar iu përgjigj pozitivisht thirrjes së parë për bashkëbisedim por hasëm në përdorimin politik dhe manipulimin publik nga ana e qeverisjes vendore dhe qendrore duke gjuajtur nën brez.
Të vetëdijshëm për detyrën e lartë morale që kemi karshi qytetarëve, të qartë se interesi jonë është publikja dhe jo llogaritë e pushteteve, të kthjellët për cfarë rreziku na kanoset, me vetëdije të lartë qytetare dhe të vendosur i bëjmë me dije publikut se nuk do e lejojmë dhe nuk do e japim konsensusin për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe tjetërsimit të Pronës Publike.
Bëjmë thirrje për rivendosjen e dialogut. Ka vetëm një rrugë që palët të mund të fillojnë të flasin. Ka vetëm një kusht që ne nuk e negociojmë. Të tërhiqet projek-ligji.
Ne si artistë nuk e njohim Kryetarin e Bashkisë si autoritetin e ligjshëm me të cilin mund të negociojmë për këtë cështje. Sa kohë është iniciuar një projekt-ligj, autoriteti i cili duhet të reflektoj është autoriteti që ka propozuar projekt-ligjin për tjetërsimin e pronës publike.
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i bën thirrje Kryeministrit të vendit të dalë në shesh e të përballet, ai duhet ta dijë mirë kë ka përballë, ai duhet ta dijë se i vetmi dialog që mund të zhvillohet, do zhvillohet me qeverinë, dhe në kushtet e tërheqjes së projekt-ligjit.
Mos luani me publiken, mos luani me Teatrin Kombëtar sepse ne e kemi ndarë mendjen për rezistencë shëmbullore. Mos sepse do ketë kosto të pakthyeshme për mardhënien mes komunitetit tonë dhe politikës.
Veliaj: Po të kish një UEFA për teatrot, a do e certifikonte tonin për shfaqje ndërkombëtare?
“Nëse do të kishte një institucion të ngjashëm e si UEFA edhe për teatrin, godina aktuale nuk do të mund që të certifikohej për standardet që ajo ofron aktualisht”. Kështu deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në nisje të dëgjesës me artistë, arkitektë dhe urbanistë për Teatrin Kombëtar.
Veliaj tha se kushtet në të cilat gjendet sot godina e teatrit nuk mund të mirëpresë asnjë aktivitet të rëndësishëm.
“Do ë doja shumë që ne të planifikojmë një ekspeditë dhe një vizitë në stadiumin kombëtar. Pse e përmend çështjen e stadiumit kombëtar, jo vetëm sepse është një koncept I ngjashëm me propozimet, por sepse besoj ka një logjikë që ngjan me teatrin . Shumëkush mund të thotë çfarë lidhje ka sporti me tetarin. T’ju bëj një analogji! Një nga arsyet pse na nxiti të bëjmë stadiumin kombëtar është sepse UEFA tha këtu nuk mund të luhen ndeshje ndërkombëtare, do të thotë që ekipi I Shqipërisë do të duhej të shkonte të luante jashtë, Për analogji po pyes: Kur ka qenë festivali I fundit ndërkombëtar që është zhvilluar në TK? Kur kanë ardhur aktorët më të mëdhenj në Evropë për të bërë një shfaqje teatrore me standard në TK? Pra pyetja është kjo; është për diskutim nëse do kishte një UEFA për TK do e certifikonte këtë teatër?! Si një trupë ku mund të vijë të luajë një trupë e Moskës, e Pragës, Londrës, një trupë e New York? Pra pot ë kishte UEFA për teatër do certifikoheshim ne të bënim kampionatin evropian të teatrove në Tiranë me këto kushte ku jemi sot? Unë besoj që këto janë pyetje që duhet t’i përgjigjemi?, tha Veliaj.