Ish-presidenti Bujar Nishani ka argumentuar sot me force se perse vendi yne nuk duhet te pranoje ndertimin e kampeve per refugjatet nga Siria dhe nga Iraku.
“Pikërisht ndërtimi i një kampi masiv refugjatësh nga Siria dhe Iraku, ku mes tyre shumë të infiltruar me qëllim nga organizatat terroriste të ISIS dhe të tjerë do synojnë pikërisht atë që bënin më parë në Irak. Duke synuar asgjesimin e pjestarëve të opozitës së lirë iraniane do të ekspozonin dhe qytetarët shqiptarë në rrezikun e krimeve terroriste”- shkruan Nishani ne nje shenim ne faqen e tij ne FB.
Bujar Nishani
Përse nuk duhet të kete kampe refugjatësh nga Siria dhe Iraku në Shqipëri ?
Të dashur miq, media zbuloj para pak kohësh se Shqipëria është ofruar të ndërtoj në territorin e saj kampe pritjeje dhe strehimi për refugjatët që vijojnë të largohen nga Siria, Iraku, Afganistani dhe vende të tjera të atij rajoni.
Ky lajm ishte befasues dhe i pabesueshëm për çdo njeri normal në Shqipëri dhe Evropë.
Shqipëria një vend që prej pesë vitesh ka humbur mbi 400 mijë qytetarë të saj, të larguar në emigracion nga varfëria dhe mungesa e shpresës, në një valë të paparë që prej atij të fillim viteve ‘90 kur shqiptarët dolën nga diktatura gjysëm shekullore.
Shqipëria e kthyer prej tre vitesh në bazën e trafikut të kanabisit në Adriatik dhe trampolina e kokainës në Mesdhe, nga krimi i organizuar.
Shqipëria e shndërruar në shtetin me administratën publike më të korruptuar dhe partiake jashtë çdo kontrolli.
Shqipëria, shteti me policinë e tradhëtuar dhe shkatërruar e cila nuk guxon të godasë krimin e lidhur me pushtetin dhe as të kontrolloj kufirin si domen i trafikantëve që kanë prodhuar vota të blera për pushtetin.
Këto e plot zullume të tjera që ja kanë kërrusur shpinën Shqipërisë tonë të dashur nga këta zullumqarë pushtetmbajtës, janë arsyet pse befasojnë e lënë pa fjalë çdo njeri normal nga aventurizmi pa kufi i kësaj qeverie.
Si në dhjetra skandale të mëparshme edhe këtë rradhë, prej reagimit qytetar, qeveria nxitoj ta përgënjeshtroj lajmin.
Nuk vonoj shumë, përsëri e përsëri si në të gjitha komeditë e mëparshme qeveritare dhe “përgënjeshtrimit qesharak” të qeverisë i doli boja dhe u demontua.
Personalitete të larta të politikës gjermane konfirmuan zyrtarisht se : “Qeveria Shqiptare ka propozuar një kamp të tillë në Shqipëri dhe është vetofruar për këtë”.
E vërtet që shqiptarëve nuk ju ka munguar kurrë sensi i solidaritetit.
Zakoni i mikpritjes të kujtdo në nevojë, ka qenë bashkëudhëtar i tyre në tërë historinë e vet.
Kjo ka qenë dhe arsyeja që u pritën, akomoduan dhe mbrohen një numër i konsiderueshëm anëtarësh të opozitës së lirë iraniane të cilët sulmoheshin dhe ekzekutoheshin në mënyrë barbare, gra e fëmijë, në kampet e mëparshme në Irak.
Që prej vendosjes së tyre në Shqipëri jeta e tyre ka qenë e mbrojtur dhe e sigurt.
Pikërisht ndërtimi i një kampi masiv refugjatësh nga Siria dhe Iraku, ku mes tyre shumë të infiltruar me qëllim nga organizatat terroriste të ISIS dhe të tjerë do synojnë pikërisht atë që bënin më parë në Irak.
Dyke synuar asgjesimin e pjestarëve të opozitës së lirë iraniane do të ekspozonin dhe qytetarët shqiptarë në rrezikun e krimeve terroriste.
Aventurizmi i qeverisë shqiptare që është e gatshme ta copëtojë e ta shesë territorin e Shqipërisë, apo ta kthej atë në fushën e sulmeve terroriste, nuk e bën dot këtë analizë rrisku.
Qëllimi i saj i vetëm është të mbulojë, mohojë dhe ti tolerohet lidhja me krimin e organizuar dhe përlyerja e ministrave të brendshëm në trafikun e drogës.
Për të është e nevojshme vetëm që bota të mbyllë sytë ndaj shkatërrimit të shtetit ligjor dhe standardeve të demokracisë në Shqipëri.
Por, për fat, miqtë dhe partnerët serioz të shqiptarëve i bëjnë këto analiza dhe vlerësime të rrezikut ndaj veçse shokohen, por dhe i denoncojnë këta aventurjerë që i kemi për hise ende mbi qafë !