Idrizi me deklaratë të fortë: Ja si do t’i përgjigjemi tradhtisë së shtetit shqiptar ndaj Greqisë

PDIU dhe Shoqata Çamëria kanë bërë homazhe në Varrezat e Kllogjerit në Konispol, ne vendin ku më shumë se 2900 shqiptarë të Çamërisë kanë humbur jetën pasi u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre në Çamëri.

Mijëra shqiptarë udhëtuan drejt Varrezave të Kllogjerit në Konispol, për të marrë pjesë në këtë pelegrinazh, me rastin e 74-vjetorit të genocidit grek, mbi shqiptarët e Çamërisë.

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, tha se të parët nuk harrohen dhe se çështja çame zgjidhet nëse në tavolinën e bisedimeve do të jenë PDIU dhe Shoqata Çamëria.

“Sovraniteti Kombëtar, Çamëria e identiteti kombëtar nuk negociohen, por zgjidhen me reciprocitet e dinjitet. Që të zgjidhet çështja çame duhet të jenë në tryezë vetë çamët, Shoqata “Çamëria” e PDIU, se na është dashur t’ju mesonim dhe historinë e Çamërisë, ngaqë nuk e kishit haberin… e pastaj do ta gjeni dhe forcën dhe argumentin. Po si është e mundur që këta politikanë që i vërsulen njëri-tjetrit si të dehur nga hashashi e pushteti, shburrërohen e të mbesin në dorë, kur ulen me grekun… Kështu duan të na e vrasin xhixhon dhe nunë, duke ju harruar emrin! Por, pse mund të harrohen të rënët tanë që vijmë i takojmë përvit këtu në Kllogjer!”, tha Idrizi.

1

Kryetari i PDIU theksoi se do të ketë një program të ri që do i drejtohet institucioneve, për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.
“Ja ku po ju them se tradhëtinë e nënshtrimin e radhës të shtetit shqiptar ndaj fqinjit, do i përgjigjemi vetëm me një kryefjalë dhe kusht të vetëm për bashkëpunim; një program të përbashkët, ku zyrtarisht të kërkohet nga shteti shqiptar zgjidhja e kësaj çështje pranë insitucioneve të së drejtës Europiane. Ky është premtimi im, por vetëm bashkë me ju do mundim t’ia dalim”, u shpreh kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Idrizi bëri me dije se askush nuk do të bëjë të mundur harrimin e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.
“Vetëm një mundësi keni që ta bëni Çamërinë të harrohet, një dhe vetëm një; të na zhdukni nga faqja e dheut të gjithë ne çamët! Pastaj të zhdukni fizikisht të gjithë patriotët e Shqipërisë, Kosovës, Diasporës! Nëse na e merrni jetën të tërëve, po keni për t’ia dalë. Por, sa kohë të jenë këto gurë varri, sa kohë të jemi ne gjallë që lutemi dhe kujtojmë shpirtrat e të parëve tanë, kurrë nuk do të na bëni ta harrojmë Çamërinë! Ja pra, ku jemi edhe sot para një marrëveshje dhe prapë kanë heshtur, kanë qepur gojën. Prandaj, shumë kush mund të thotë: Si do t’ia bëjmë? Sot, po ju them, që vetëm një përgjigje kemi: Të çohemi në këmbë!

LEXO EDHE  Ish-deputetja shpërthen ndaj ministres së Ramës: Populli varfërohet, ndërsa ti ...

Ndërkohë Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda, tha se ata që kanë kujtuar se na kanë gjunjëzuar, e kanë marrë përgjigjen.
“Kanë kujtuar se na kanë vrarë. Kanë kujtuar se na kanë gjunjëzuar. Kanë kujtuar se PDIU nuk ekziston më, por ja ku jemi, me qindra dhe me mijëra, jemi prap në këmbë. Askush nuk mund ta zhdukë çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, dëshiron apo jo Kryeministri i Shqipërisë, dëshirojnë apo jo tradhëtarë të tjerë të Athinës. Jemi këtu, do jemi shumë më tepër pas çdo viti”, – tha Mesila Doda.

Presidenti i Nderit i PDIU-së Tahir Muhedini, tha se nuk kanë qënë çamët bashkëpuntorë të nazizmit, por vet grekët.
“Ne jemi këtu për të respektuar të parët tanë, për ti thënë shtetit grek, mjaft më me manipulime të historisë në kancelaritë e Europës dhe në SHBA, se çamët janë bashkëpuntorë të nazizmit. Nuk janë çamët bashkëpuntorë të nazizmit. Politika greke e ka të qartë se në mes të Athinës, historianët grek e kanë pranuar që bashkëpuntorët të nazizmit kanë qënë vet grekët”, – tha Tahir Muhedini.

Në pelegrinazhin e përvitshëm në varrezat e Kllogjerit morën pjesë edhe Aqif Rakipi, kryetari i Shoqatës Çamëria Dritan Sejko, kryetari i Shoqatës Çamëria në Kosovë Nexhmi Muqiqi, deputetë të Kuvendit, si dhe përfaqësues të partive politike në Kosovë.