Një nga personat më të kërkuar nga SPAK, Denis Tafili, pjesë e grupit të Visit të Pojës, është shfaqur sot në Shkallnur të Durrësit, ku është përfshirë në një konflikt me Edison Gjuzin. Në ngjarje është implikuar dhe një punonjës policie.
Policia shpjegon se konflikti ka nisur për motive të dobta, ku Gjuzi është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit Tafili dhe një 27 vjeçar me inicialet G. M. Të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.
Policia pranon përfshirjen e punonjësit të saj, inspektorit L. Xh., “i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore”.
Mësohet se Tafili ka ndërhyrë duke i dalë në mbrojtje policit, në konfliktin e këtij të fundit me Gjuzin.
Në maj të këtij viti Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për grupin e Elvis Doçit, pjesë e të cilit është dhe Tafili. Grupi u godit një vit më parë falë operacionit të përbashkët me autoritetet italiane, “Ura”. Ndaj 24 anëtarëve të grupit rëndojnë akuzat për trafik ndërkombëtar kokaine, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. gjatë ekzekutimit të këtij operacioni janë sekuestruar edhe 4 milionë euro cash dhe 12 milionë euro pasuri, kryesisht prona.
Në 21 maj të vitit të kaluar, kur u ndërmor edhe operacioni, u vendos sekuestro për miliona euro pasuri, përfshirë 2 kompani ndërtimi, 4 restorante luksoze, 1 agjenci imobiliare, 1 televizion në Vlorë, të dyshuara se ishin financuar nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ndërkohë, në vendin fqinj janë sekuestruar 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 makina.














