Çdo gjë në jetë ndodh për një arsye…
Ndonjëherë të gjithë ne vendosemi rastësisht përpara disa zgjedhjeve të vështira në jetë. Sigurisht që zgjedhjet jo të lehta janë për ata njerëz që guxojnë të bëjnë një ndryshim të madh në jetën e tyre. Vajza për të cilën do të shkruajmë sot është e tillë…ajo është e GUXIMSHME. Amarda Logu është vetëm 23 vjeç, por ka vizituar aq shumë vende të ndryshme të botës, sa një njeri normal nuk i viziton dot gjatë gjithë jetës. Arsyeja e udhëtimeve të shumta ta saj, është puna e 23-vjeçares nga Tropoja. Amarda është stjuardesë, dhe shumicën e kohës e “gjen” në ajër.
Në një intervistë për Revistën Class, Amarda na rrëfen si është të jetosh mes qiellit dhe tokës, dhe sa të vështirë e ka pasur ajo që të përshtatet me kulturën strikte të Arabisë Saudite. Amarda ka dy vëllezër, por është vajzë e vetme, nuk ka motër. Në shtëpi të gjithë e thërrasin “motër”,edhe e ëma dhe babai, prandaj ndarja me familjen ka qenë mjaft e vështirë.
Personat që e njohin Amardën, nuk e kanë menduar ndonjëherë se ajo mund të qëndronte kaq shumë kohë larg familjes, por ajo i ka idetë e qarta. Ajo nuk mendon të heqë dorë nga kjo punë, pasi së fundmi ajo është ngritur edhe në detyrë duke u bërë Shefe Kabine. Kjo nuk është një arritje e vogël, prandaj Amarda do të vazhdojë të “fluturojë”.
Gjithsesi, ajo na ka treguar se nuk mendon se do ta bëjë gjatë këtë punë pasi për një vajzë që dëshiron të krijojë familje, kjo nuk është puna ideale. Ndoshta më vonë, Amarda do të preferojë një punë në zyrë…por gjithmonë në fushën e aviacionit. Edhe pse paguhet shumë mirë, dhe është e kënaqur me kushtet dhe me çdo gjë tjetër që i ofron kjo punë, Amarda tregon se për një kompani ajrore në Shqipëri, do të hiqte dorë nga çdo gjë që ka arritur deri tani, vetëm për të qenë pranë familjes…dhe të punonte me shqiptarë.
Si të lindi ideja për t’u bërë stjuardesë?
-Në fakt ishte një rastësi aplikimi im për stjuardesë, një nga shoqet e mia më të mira e kishte parë njoftimin për këtë punë, por hezitonte të shkonte vetëm dhe prandaj më tha që të shkojmë ta provojmë bashkë, por gjithmonë duke menduar që do të ishte e parealizueshme për arsye se nuk kishim eksperiencë.
Edhe pse je në lëvizje gjithë kohës, ku është vendi ku qëndron më shumë?
-Vendi ku qëndroj më shumë është baza jonë që gjendet në Riyadh. Aty ne kemi një kompleks të madh ku jetojmë gjithë stjuardesat bashkë dhe kemi kushte shumë të mira.
Je lodhur nga udhëtimet me avion?
-Nuk mendoj se do të lodhem kurrë nga udhëtimet me avion. Si çdo punë ndonjëherë edhe kjo është pak e mërzitshme, por prap nuk do doja të hiqja dorë kurrë.
Si reaguan prindërit kur ju tregove vendimin tënd për t’u larguar?
-Fillimisht ata ashtu si dhe unë nuk menduan që do të realizohej prandaj nuk e morën shumë seriozisht. Më pas kur mora kontratën dhe po bëja gati letrat u bë më e besueshme për të gjithë ne. Ishte goxha e veshtirë për ne sepse unë nuk isha larguar asnjëherë prej tyre. Ende është e vështirë për mua kur vij në Shqipëri për pushime që të largohem nga ata.
Çfarë të mungon nga Shqipëria?
-Përveç familjes dhe shoqërisë që më mungojnë pafund, më mungon jeta normale. Këtu është e vështirë të bësh një jetë normale për shkak të fluturimeve po ashtu edhe më e vështirë për shkak të kulturës arabe që është goxha strikte.
Edhe për sa kohë mendon ta besh këtë punë?
-Për momentin nuk kam ndërmend të bëj ndonjë lëvizje nga kjo punë dhe as nga kompania për shkak se kam patur mundësinë që të rritem në detyrë. Muajin e kaluar kam marrë certifikatën si Shefe Kabine dhe kjo është goxha arritje për mua, prandaj mendoj të rri dhe disa kohë që të marrë eksperiencën e duhur.
A është fitimprurëse?
-Po është fitimprurëse, sidomos për një vajzë shqiptare normale është një ndihmë e mirë ekonomike meqënëse rroga është mbi mesataren normale në Shqipëri.
Cili është vendi më i bukur që ke vizituar?
-Një nga vendet që më ka pëlqyer më shumë ka qenë Dubai, është një mrekulli të shkosh atje jo vetëm për bukurinë por dhe për rregullin e pastërtinë. Po ashtu njerëzit janë shumë të edukuar prandaj çdo vend që kam vizituar atje jam kënaqur pa masë.
Eksperienca më e keqe ne avion?
-Për fatin tim të mirë nuk kam pasur ndonjë eksperiencë shumë të keqe në avion përveç turbulencave apo ndonjë pasagjer që nuk është ndjerë mirë. Çdo gjë është e menaxhueshme meqënëse transporti ajror është dhe ai më i sigurti.
E mendon veten gjatë vetëm duke fluturuar?
-Për fat të keq kjo punë është shumë e veshtirë të mbahet për një kohë të gjatë, sidomos për një vajzë më e vështirë akoma kur dëshiron të krijojë familje për shkak të orareve aspak të rregullta. Prandaj nuk mendoj se do vazhdoj shumë gjatë duke fluturuar, por pa dyshim do doja që të vazhdoja në fushën e aviacionit gjithmonë, por në pozicione të tjera të cilat mund të jenë në zyrë.
Ju jeni një vajzë e bukur, ju kanë ngacmuar ndonjëherë pasagjerët në avion?
-Kultura arabe është goxha strikte prandaj janë të rralla rastet kur ata mund të ngacmojnë, normalisht që ndonjeherë mund të të thonë ndonjë fjalë apo mund të hedhin shikime por ndodh shumë rrallë.
Cili është vendi që do të doje të vizitoje?
-Vendi që unë ëndërroj të shkoj një herë në jetën time është Tokyo në Japoni.
Ëndrra e parealizuar ende?
-Deri tani falenderoj Zotin që çdo plan që kam pasur më është realizuar, në të ardhmen shpresoj që të arrij të fluturoj për kompani më të mëdha ose edhe për kompani ajrore në Shqipëri, për këtë të fundit do hiqja dorë nga çdo punë këtu që të jem pranë familjes edhe të punoj me shqiptarë.