Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë dënimet për 17 personat e pandehur, të akuzuar për kultivimin e rreth 1.8 tonëve kanabis përmes serave në fshatin Drenovicë të Beratit.
Dy drejtuesit e grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xheka, u dënuan secili me 8 vjet e 8 muaj burg, pas përfitimit të uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Me 6 vjet e 8 muaj burgim u dënuan Sidrit Bisha, Suad Smakaj, Jurgen Ujkaj, Samoel Lushaj, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha dhe Hamdi Dyli.
Ndërsa Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema dhe Edison Mema u dënuan secili me 5 vjet e 4 muaj burgim.
Gjykata shpalli fajtore edhe Drita Mema dhe Izmire Mema për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim të thjeshtë, duke i dënuar me nga 4 vjet burgim, por vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tyre në provë për një periudhë 3-vjeçare. Të dyja u shpallën të pafajshme për akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe iu shuan masat e sigurimit.














