Një muaj pas fillimit të protestave, debati nuk lidhet më vetëm me arsyet e tyre, por me atë që mund të sjellin në të ardhmen: një lidership të ri, një parti politike apo thjesht një presion të përkohshëm mbi sistemin.
Sipas analistëve, kjo është një fazë e rëndësishme, ku energjia e protestës po përballet me kufijtë e organizimit politik.
“Nuk mund të jetë më Shqipëria që ka qenë”
Për gazetarin dhe analistin Blendi Fevziu, protestat kanë potencialin të shënojnë një pikë kthese në zhvillimet politike të vendit, edhe nëse ende nuk dihet forma që do të marrin në të ardhmen.
“Nuk di të them nëse kjo protestë do prodhojë një formacion politik… Por unë kam shpresuar shumë që kjo protestë mund të sjellë një lidership të mirë”, shprehet ai për Faktoje, duke e lidhur momentin aktual me precedentë historikë të ndryshimeve politike në Shqipëri.
“Zakonisht lidership i ri vjen në momente përplasjesh… siç janë protestat. Kështu ka ardhur lidershipi shqiptar në 1990… shpresoj shumë që të mund të nxjerrë një lidership të ri” – Blendi Fevziu
Fevziu e sheh protestën si një terren ku mund të lindë një elitë e re politike, edhe pse pa garanci të qarta për drejtimin që do të marrë.
“Zakonisht lidership i ri vjen në momente përplasjesh… siç janë protestat. Kështu ka ardhur lidershipi shqiptar në 1990… shpresoj shumë që të mund të nxjerrë një lidership të ri”, thotë ai.
Megjithatë, në analizën e tij ka edhe një element të fortë pasigurie: protestat mund të mos prodhojnë një forcë të vetme politike, por disa të tilla, për shkak të diversitetit të ideve brenda tyre.
“Nuk di të them nëse këto protesta do e nxjerrin, por një gjë është e sigurtë: që pas kësaj proteste Shqipëria nuk mund të jetë ajo që ka qenë” , thekson Fevziu.
“Është herët për parti politike”
Ndërsa, politologu Afrim Krasniqi e sheh protestën si një proces ende në fazë të hershme, ku transformimi në forcë politike është i mundshëm, por jo i afërt. Ai thekson se është e gabuar të pritet një ndryshim i shpejtë institucional, duke e krahasuar protestën me lëvizje të tjera historike që kanë kërkuar kohë për t’u konsoliduar.
“Është normale që kur një protestë ngrihet kundër sistemit, sistemi nuk mund të ndryshojë për 30 orë dhe as për 30 ditë. Kërkon shumë kohë dhe durim”, argumenton Krasniqi për Faktoje.
Sipas tij, sfida kryesore e lëvizjeve të tilla është kalimi nga protesta në organizim politik të qëndrueshëm. Por në rastin shqiptar, ai e konsideron këtë hap si të parakohshëm.
“E shoh të hershme, shumë të hershme nevojën që kjo lëvizje të kthehet në një lloj rryme politike”, thotë ai, duke nënvizuar se kërkesat e artikuluara janë ende në fazën e ndikimit publik dhe jo të institucionalizimit.
Një element tjetër që ai thekson është rreziku i fragmentimit dhe i ndikimit të aktorëve politikë ekzistues mbi individët e përfshirë në protestë, ç’ka mund të dëmtojë besimin publik.
“Duke qenë një vend i vogël, çdo individ mund të integrohet lehtësisht nga palët… bëhet shumë e vështirë për individët që përkrahin protestën të dalin në mënyrë publike”
Në këtë kuadër, Krasniqi e sheh sfidën kryesore jo vetëm te protesta vetë, por te qëndrueshmëria e saj përballë presioneve politike dhe përpjekjeve për ta fragmentuar.
“Në kushtet aktuale, basti kryesor është përpjekja për ta lodhur dhe për ta përçarë protestën… ndërsa qytetarët përpiqen të mbajnë gjallë shpresën që gjërat në Shqipëri mund të ndryshojnë”
Lëvizje shoqërore, jo domosdoshmërisht parti
Një qasje më pragmatike vjen nga aktivisti i shoqërisë civile Migen Qiraxhi, i cili e refuzon idenë që suksesi i një proteste të matet domosdoshmërisht me krijimin e një partie politike.
Sipas tij, ajo që po ndodh nuk duhet parë me logjikën e viteve ’90, kur pluralizmi politik ishte qëllimi kryesor. Sot, argumenton ai, realiteti është tjetër.
“Refuzoj të mendoj si në ’90-tën ku shprehja më e lartë e suksesit të një proteste ishte krijimi i një partie”, thotë Qiraxhi për Faktoje.
“Nëse kjo lëvizje bën vetëm një parti është si ‘mali që mbarset dhe pjell një mi” – Migen Qiraxhi
Ai shkon më tej duke paralajmëruar se krijimi i një partie të vetme nuk do të përfaqësonte domosdoshmërisht forcën reale të lëvizjes.
“Nëse kjo lëvizje bën vetëm një parti është si ‘mali që mbarset dhe pjell një mi”
Në vend të kësaj, ai propozon një model më të shpërndarë të organizimit qytetar, ku presioni për ndryshim ushtrohet nga disa struktura dhe forma përfaqësimi, jo vetëm nga një subjekt i vetëm politik.
“Duhet të lindin lëvizje apo organizata të ndryshme… Shqipëria e re me një lule nuk vjen”
Pavarësisht dallimeve në qasje, të tre zërat bashkohen në vlerësimin se protesta nuk është më vetëm një episod emocional i pakënaqësisë, por një moment me fuqi ndikuese në sistemin politik shqiptar. / Nga Esmeralda Topi, Faktoje.al














