Ekonomia shqiptare u rrit me 3.71 për qind në tremujorin e parë të vitit. Zgjerim i Prodhimit të Brendshëm Bruto në janar-mars rezulton të jetë përshpejtuar lehtë në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.
“Është një ekonomi që po rritet, por nuk po transformohet thellësisht dhe ky cikël rritje është i destinuar të ngadalësohet, nëse nuk ndryshon modeli ekonomik. Modeli aktual favorizon rritje të bazuar te konsum dhe investime jo gjithmonë produktive, në vend të një rritjeje të bazuar te inovacion, eksporte dhe kapital njerëzor. Ky model e mban ekonominë tonë me një rritje modeste, por nuk po ndryshon dot mënyrën se si ajo të krijojë mirëqenie. Po krijohen vende pune dhe po rriten pagat në disa sektorë, por vendi po prodhon më pak”, thotë për A2 CNN Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Kontributin kryesor në këtë ecuri e dha rritja e pagave në administratën publike, ndjekur nga taksat dhe turizmi me shitblerjen e pronave. E kundërta ndodhi me sektorët e punësimit masiv si bujqësia dhe industria që u tkurrën respektivisht me 0.06 dhe 0.25 për qind.
“Kjo do të thotë, se në mungesë të reformave strukturore, si diversifikimi industrial, rritja e produktivitetit, menaxhimi më efikas i burimeve natyrore, reduktimi i informalitetit dhe investimet në aftësi e kapital njerëzor ekonomia shqiptare mund të mbetet e bllokuar në kurthin e të ardhurave të mesme. Kjo do të thotë se ritmi i rritjes do të jetë i pamjaftueshëm për të frenuar emigracionin, për të krijuar vende pune me vlerë të shtuar dhe për të përballuar nevojat në rritje për financimin e shërbimeve sociale, shëndetësisë dhe pensioneve”, thotë Gjokutaj.
Sipas metodologjisë tjetër të Institutit të Statistikave, asaj të shpenzimeve, në rritjen ekonomike në tremujorin e parë të vitit kontributin kryesor e dhanë konsumi i popullatës dhe eksportet. E kundërta ndodh me konsumin e administratës, pavarësisht rritjes së pagave.
“Kjo strukturë tregon një ekonomi që konsumon më shumë se sa prodhon për eksport, me një bilanc negativ që vazhdon të financojë rritjen përmes remitancave, turizmit dhe FDI-ve. Por mosmarrja e veprimeve për një kthesë drejt përpunimit dhe eksporteve me vlerë të lartë, do të thellojë më tej deficitin tregtar dhe kjo do të shtojë presionin fiskal edhe mbi rezervat e valutës, që kanë shënuar rritje deri më sot”, thotë Gjokutaj.
Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë presin që ekonomia e vendit të rritet mesatarisht me 4 për qind këtë vit.
Disi më pesimiste janë institucionet Ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe ajo Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që presin zgjerim të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mesatarisht 3.5 për qind./A2














