Tridhjetë e pesë vjet më parë, kur ra komunizmi, Shqipëria nisi udhëtimin tranzitor, nga diktatura e proletariatit, te demokracia liberale, nga ekonomia e centralizuar te ekonomia e tregut. Supozohej se dy-tre vjet do t’i mjaftonin vendit të realizonte “tranzicionin”. Shenjat në fillim ishin shpresëdhënëse. Në vitin 1995 Shqipëria ishte pranë rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe do të mund të anëtarësohej në të sipas gjasave, në vitin 2003 apo 2004. Por kjo nuk ndodhi. Fillimisht ishte Berisha që sundoi si autokrat, dërgoi vendin në kolaps më 1997 dhe dështoi të hartojë një kushtetutë. Ai ishte president i një republike nominalisht parlamentare, por që sundohej nga presidenti, i cili i jepte të drejtë vetes të kishte pushtet pa limit. Kur pushteti pa limit prodhoi papërgjegjshmëri dhe papërgjegjshmëria qeverisëse prodhoi kaos në format e skemave piramidale, këmbëngulja për të ruajtur pushtetin me çdo kusht dërgoi rendin publik në kolaps, me qindra të vdekur nga armët e zjarrit.
Vendi miratoi një kushtetutë në vitin 1998, e cila, falë asistencës ndërkombëtare, nuk ishte dokument i keq. Por ajo që eci keq ishte zbatimi. Duke filluar nga presidenti i vendit, i cili, sipas konceptit të kësaj kushtetute, duhej të ishte mbi palët dhe nga pozicioni i të qenit mbi partitë politike, duhej të mbikëqyrte sistemin e drejtësisë për të garantuar një sistem të pavarur. Defekti kryesor i kësaj kushtetute ishte moslëshimi i kontrollit politik mbi prokurorinë, përmes ushtrimit të pushtetit drejtpërsëdrejti nga parlamenti te Prokurori i Përgjithshëm dhe nga Prokurori i Përgjithshëm te të gjithë prokurorët e tjerë. Kjo bëri që lufta kundër korrupsionit politik të dështonte në vijimësi, me rastin e parë serioz të regjistruar në vitin 2021, (rasti i Lefter Kokës), më shumë se 20 vjet pas miratimit të kushtetutës dhe pas një reforme të thellë e komplekse të ndërmarrë në vitin 2016.
Mungesa e luftës kundër korrupsionit politik ishte elementi i parë që zgjati periudhën e tranzicionit nga dy tre vjet, në 35 vjet.
Elementi i dytë ishte shkatërrimi gradual i barazisë së votës së qytetarëve. Ky shkatërrim nisi në zgjedhjet e vitit 1996 dhe shkatërruesi ishte Sali Berisha. Përgjatë dekadës që pasoi, sistemi mori nofkën “Sistemi i Dushkut”, por ndryshimi ndodhi realisht në vitin 1996, kur Berisha përdori supermaxhorancën parlamentare për të hartuar rregulla loje që i jepnin atij më shumë deputetë nga sa kishte vota në proporcional.
Ndryshimi bëri të mundur që qytetarët të votonin veçmas për kandidatin në maxhoritar dhe veçmas për partinë, duke bërë të mundur që vota e disave të ishte e barabartë me më shumë se 1 dhe vota e disa të tjerëve të ishte, për rrjedhojë e kësaj, më pak se 1.
Në zgjedhjet e vitit 2001, socialistët nën drejtimin e Ilir Metës e perfeksionuan sistemin e manipulimit duke arritur të fitonin 10 mandate deputetësh me një zonë të vetme elektorale. Fshati Dushk në Lushnjë ishte epiqendra e manipulimit që rrjedhimisht u etiketua nga media e kohës si “Sistemi i Dushkut”.
Të flasësh për problemet ligjore dhe çështje të tilla si barazia e votës për zgjedhjet e asaj kohe ngjan në fakt një pekuliaritet i ekzagjeruar. Sepse manipulimet e zgjedhjeve në atë kohë nuk mbështeteshin në pekuliaritete të tilla por bazoheshin nga përdorimi i dhunës brutale, shërbimeve sekrete që rrihnin qytetarë, forca policore që përdoreshin si milici fashiste dhe falsifikime procesverbalesh. Gjithsesi, problemi i barazisë së votës së qytetarëve mbeti i pazgjidhur dhe kërkesa aktuale e shumë protestuesve për lista të hapura kombëtare reflekton atë padrejtësi të nisur në vitin 1996 dhe që u transformua dhe u thellua nga marrëveshja Rama-Berisha e vitit 2008.
Kultura e partisë mbi të gjitha, apo e partitizmit, ndjenja e detyrës së vetësakrifikimit për hatër të suksesit të grupit, fenomen ky që përbën shtyllën kurrizore të lëvizjeve komuniste apo fashiste, pra politika e identitetit, apo e përkatësisë përkundrejt politikës së arsyes, është elementi tjetër që solli zgjatjen përtej çdo imagjinate të “tranzicionit”. Natyrisht që dy udhëheqësit politikë, Rama dhe Berisha, ndaj të cilëve është përqendruar zemërimi qytetar, nuk janë përgjegjës për këtë dhe janë më shumë produkte të kulturës partiake komuniste. Por ata, nga pozicioni i udhëheqësit partiak, kishin të gjitha mundësitë që të bëheshin udhëheqës të partive me të vërtetë demokratike, me demokraci të brendshme, me nxitje dhe tolerim të mendimit ndryshe, gjë që nuk e bënë. Nëse doni prova për këtë, mjafton të shihni rastin e deputetes Marjana Koçeku, e cila, për të mos qenë dakord me Edi Ramën për një çështje kaq të debatuar sa ndërtimi në Zvërnec, u detyrua njëkohësisht të mos jetë më deputete socialiste dhe të mos jetë më as socialiste.
Partitizmi i modelit stalinist vërehet edhe te demokratët dhe forma më akute e saj është te përdorimi i përjashtimit si mjet pune. Sali Berisha u përjashtua nga partia që ai vetë pati bashkëthemeluar dhe ai shpalli “të vetëpërjashtuar” Ervin Salianjin. Nëse do t’ia thoje një amerikani këtë do të zihej në befasi. Partitë, para se të jenë struktura të ushtrimit piramidal të pushtetit, duhet të jenë ide. Dhe njeriu nuk mund të përjashtohet nga të qenit i djathtë, apo nga të qenit i majtë. Problemi është që, partitë e modelit sovjetik, të transpozuara në regjimin e tregut të lirë janë kthyer në grupe interesi, pa ideologji. Makineri të stërmëdha klienteliste të cilat, njësoj si LSI, rrezikojnë të zhduken dhe asgjësohen nëse humbasin interesin që i mban bashkë.
Ndërsa rrugëtimi drejt institucioneve demokratike eci tepër ngadalë, me disa hapa anash në rastin e mungesës së kulturës demokratike në partitë e modelit stalinist PD dhe PS, rrugëtimi drejt tregut të lirë ishte, jo vetëm i ngadaltë, por edhe me hapa pas.
Komunizmi ra në vitin 1992, gjë që nga pikëpamja ekonomike, do të thotë që objektivi i politikëbërjes nuk është më “punësimi i plotë” por është “stabiliteti i çmimeve”. Çmimet u liberalizuan në vitin 1992 por mekanizmi kyç, normat referencë të Bankës së Shqipërisë, u arritën të përdoren vetëm në vitin 2002 për herë të parë. Edhe kur u përdorën normat referencë, si mjet indirekt i arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, pjellat e kohës së komunizmit, dy banka të mëdha me fuqi të ndjeshme në treg, të cilat u privatizuan, gërryen efikasitetin e politikës monetare siç vijojnë ta bëjnë edhe sot, falë peshës së stërmadhe dhe nivelit artificialisht të lartë të ruajtur në tregun e borxhit publik.
Bankat nuk ishin strukturat e vetme ekonomike që u trashëguan dhe goditën shanset për treg të lirë. Çdo ndërmarrje shtetërore që mund të funksiononte në kushtet e ekonomisë private u bë automatikisht monopol apo oligopol apo operator me fuqi të ndjeshme në treg, gjë që solli çmime artificialisht të larta dhe pengoi zhvillimin. Nga fillimi i viteve 2000, një gazetar vërejti se vendi kishte kaluar nga stadi i ekonomisë së centralizuar në pronësi shtetërore në ekonomi të centralizuar në pronësi private. Për shembull, kompani të lindura nga ndërmarrjet shtetërore të imputeve bujqësore, u hetuan dhe u gjetën fajtore për shkeljen e rregullave të konkurrencës së lirë edhe dekada pas rënies së komunizmit. Biznesmeni zëvendësoi në këtë mënyrë sekretarin e partisë, jo vetëm në formë, por edhe në mentalitet. Nga viti 2008, termi i përdorur mes ekonomistëve për ndërmarrje të tilla, që trashëguan, jo aq shumë kapital apo njohuri apo aftësi menaxhuese nga regjimi komunist, por trashëguan pozicion tregtar nga i cili mund të nxirrnin një rentë, ishte “kompani zombi”.
Pastaj, në disa sektorë, si ndërtimi, ndërtuesit që kishin bërë karrierë si menaxherë të kohës së komunizmit dhe më pas, si ndërtues në kohën e tranzicionit, u zëvendësuan në një masë të madhe nga klasa e sipërmarrësve trafikantë droge. Pasojat negative për shoqërinë u dyfishuan. Më herët, për të pasur banesë, duhej të paguaje çmimin e kripur të oligopolit të ndërtuesve (struktura e parë lobuese e të cilëve imponoi çmime referencë në treg që nga viti 2002), ndërsa më pas, thjeshtë u bë e pamundur të blije shtëpi sepse askush nuk është në gjendje të paguajë me punë të ndershme oreksin e milionerëve të drogës për fitime.
Përgjatë dy dekadave të fundit, tranzicioni drejt ekonomisë së tregut, jo vetëm që nuk ka bërë hapa gradual përpara, por ka bërë hapa prapa. Koncesionet e pakërkuara, një instrument i krijuar në vitin 2008 nga qeveria e Sali Berishës, statusi i investitorit strategjik, krijuar nga Edi Rama më 2015, ligjet e panumërta klienteliste, paratë e drogës të derdhura në të gjithë ekonominë, përfshirë lokale e restorante apo shërbime turistike, shkatërruan çfarëdolloj koncepti mbi tregun e lirë. Bashkë me korrupsionin sistemik, mungesën e rregullave të qarta mbi financimin e partive politike dhe kandidatëve dhe kufizimeve të këtyre financimeve, paratë e drogës dhe monopolet e oligopolet e krijuara nga shteti për llogari të interesave private e kthyen shqiptarin në një skllav.
Në vend që të udhëtonte drejt demokracisë liberale, shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut të lirë, vendi u kthye në një lloj shteti feudal mesjetar. Është afërmendësh që, nëse përmirësimi gradual nuk ndodh, dhe nëse perspektiva për përmirësim zëvendësohet me hapa pas, reagimi i pritshëm është protesta dhe ndryshimi revolucionar. Për fat, protesta dhe ndryshimi po kërkohet të realizohen përmes revolucionit pa dhunë dhe mjeteve demokratike. Kjo jep shpresë se fundi i tranzicionit është i mundshëm./Reporter.al














