Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka denoncuar shkatërrimin e Grykës së Skoranës në Kanionin e Erzenit, duke e cilësuar atë një tjetër “krim mjedisor” dhe duke akuzuar qeverinë se po varros një nga perlat natyrore të Tiranës.
Përmes një videoje, Zhupa shprehet se dëmtimi i zonës nga hedhja e inerteve dhe aktiviteti i pakontrolluar i firmave ndërtuese është pasojë e keqqeverisjes dhe jo e një fatkeqësie natyrore.
“Edhe Kanioni i Erzenit u masakrua. Qeveria Rama po varros një tjetër perlë natyrore të Tiranës. Kjo video tregon një krim mjedisor që nuk mund të fshihet me propagandë. Gryka e Skoranës, një nga destinacionet më të bukura natyrore të Tiranës, është shkatërruar nga hedhja e inerteve dhe aktiviteti i pakontrolluar i firmave ndërtuese. Aty ku dikur familjet, të rinjtë dhe turistët shijonin natyrën e ujërat e Erzenit, sot ka mbetur vetëm shkatërrim.
Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por pasojë e një qeverisjeje që ka braktisur mbrojtjen e mjedisit dhe ka zgjedhur t’u shërbejë interesave të klientëve të saj.
Duhen hetuar dhe vënë para ligjit përgjegjësit dhe forcuar ligjet dhe kontrollet në mbrojtje të pasurive tona natyrore.
Shqipëria nuk mund të vazhdojë të humbasë një e nga një perlat e saj, ndërsa qeveria shet propagandë për turizmin, por lejon shkatërrimin e vetë natyrës që e bën këtë vend unik.
Për cfarë turizmi do flasim në Tiranë?! Turizmin e ndërtimit, turizmin e betonit?!”- shprehet Zhupa.














