Buckingham Palace nuk do të jetë më rezidenca e mbretit britanik. Pas shekujsh, pallati që është identifikuar me figurën e sovranit do të ketë një rol krejt tjetër. Një komunikatë zyrtare e Pallatit Mbretëror konfirmon se Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla nuk do të vendosen aty pasi të përfundojnë restaurimet që vazhdojnë prej vitesh.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë për të respektuar dëshirën e çiftit mbretëror që Buckingham Palace të mbetet qendra ceremoniale e jetës mbretërore, vendi ku zhvillohen aktivitetet kryesore të Kurorës dhe një monument historik që do të jetë gjithnjë e më i aksesueshëm për publikun.
Kjo do të thotë se Buckingham Palace do të vazhdojë të jetë zemra e monarkisë britanike, aty ku do të organizohen ceremonitë shtetërore, pritjet zyrtare dhe ngjarjet më të rëndësishme të Familjes Mbretërore. Por nuk do të jetë më shtëpia e mbretit. Charles do të vazhdojë të jetojë në St James’s Palace, rezidenca që ka preferuar gjithmonë.
Në fakt, kjo ishte një lëvizje që pritej prej kohësh. Që kur nisën restaurimet shumëvjeçare dhe me kosto të lartë të Buckingham Palace, ishte përfolur se Charles nuk kishte ndërmend të transferohej aty. Megjithatë, tani që vendimi është bërë zyrtar, ai shënon një ndryshim historik për monarkinë britanike.
” Madhëria e tij ka një dashuri të madhe për Buckingham Palace dhe një respekt të thellë për rolin që ai ka në jetën publike dhe mbretërore. Pallati do të vazhdojë të jetë një vend pune, por synimi ynë është të zgjerojmë mundësitë që publiku ta vizitojë, në mënyrë që një ndërtesë e financuar me fonde publike të jetë sa më e dobishme për qytetarët”, tha një zëdhënës i Pallatit Mbretëror.
Vendimi nuk lidhet vetëm me preferencat personale të Charles. Ai vjen edhe në një moment kur Kurora po përpiqet të tregojë më shumë transparencë për mënyrën se si përdoren fondet publike. Njoftimi u bë në të njëjtën ditë me publikimin e deklarimit të parë të të ardhurave të Mbretit Charles, nga i cili rezulton se vitin e kaluar ai pagoi mbi 30 milionë paund taksa, rreth 35 milionë euro.
Financat e monarkisë kanë qenë prej kohësh objekt debatesh, sidomos pas skandaleve që përfshinë Princin Andrew, i cili u akuzua se kishte përdorur pozitën e tij për përfitime personale.
James Chalmers, përgjegjës për financat e Kurorës, tha se monarkia moderne duhet të vazhdojë të përshtatet me një botë që ndryshon, duke garantuar se fondet publike përdoren me përgjegjësi dhe se tradita mund të ecë përkrah modernitetit.
Për këtë vit, financimi publik për Familjen Mbretërore arrin në rreth 138 milionë paund, mbi 150 milionë euro. Pas përfundimit të restaurimit të Buckingham Palace, kjo shumë pritet të bjerë nën 100 milionë paund në vit.
Ndërkohë, Buckingham Palace nuk do të humbasë rolin e tij simbolik. Përkundrazi, sipas Pallatit Mbretëror, ai do të vazhdojë të jetë plot aktivitet, duke pritur ceremoni, takime dhe vizita zyrtare. Por një gjë është e qartë: nuk do të jetë më vendi ku banon mbreti.
Në fakt, Charles nuk e ka pasur kurrë Buckingham Palace rezidencën e tij të preferuar. Edhe Mbretëresha Elizabeth II, kur u ngjit në fron, nuk ishte e bindur të transferohej aty. Pallati i dukej tepër solemn dhe disi i zymtë. Ishte Winston Churchill, në atë kohë kryeministër, ai që këmbënguli që sovrania të vendosej në Buckingham Palace, me bindjen se Kurora, për të ruajtur autoritetin e saj, duhej të mishërohej në simbolin më të madh të monarkisë britanike.
Sot, kohët kanë ndryshuar. Zgjedhja e Charles tregon për një monarki që kërkon të jetë më pranë kohës, më pak e lidhur me formalitetin dhe më e hapur ndaj publikut. Nëse planet realizohen, turistët dhe qytetarët britanikë mund të kenë mundësi ta vizitojnë Buckingham Palace gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë dy muajve të verës, siç ndodh aktualisht














