Meksika ka prerë biletën për në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës, duke u kthyer në përfaqësuesen e parë që siguron avancimin, falë suksesit 1-0 ndaj Koresë së Jugut në ndeshjen e dytë të grupit.
Skuadra meksikane e vendosi sfidën në minutën e 50-të, kur Luis Romo realizoi golin e vetëm të takimit pas një pasigurie të rëndë të portierit korean në zonë.
Gjithçka nisi nga një krosim, ku Raul Jimenez provoi me kokë. Në përpjekje për të larguar rrezikun, portieri Kim Seung-gyu u përplas me një lojtar të ekipit të tij dhe topi mbeti i lirë, çka i dha mundësinë Romos ta shtynte në portën e boshatisur.
Pjesa e parë në Guadalajara u zhvillua me ritëm të vakët dhe nuk arriti të kënaqte pritshmëritë, duke shkaktuar edhe pakënaqësi te tifozët vendas. Rasti më i mirë për Meksikën në këtë fraksion erdhi në minutën e 20-të, kur Julian Quinones provoi me kokë, por Kim reagoi në mënyrë të shkëlqyer.
Edhe Koreja e Jugut iu afrua golit me Son Heung-min, megjithatë goditja e tij u ndal mbi vijën fatale nga Edson Alvarez. Më pas, aksioni u anulua për pozicion jashtë loje.
Pas pushimit, Meksika administroi epërsinë, por nuk mundi të vuloste përfundimisht ndeshjen. Në minutën e 75-të, Kim reagoi me një pritje vendimtare ndaj Jimenez, duke kompensuar gabimin në golin e pësuar.
Rasti më i mirë i Koresë së Jugut për të barazuar erdhi në minutën e 87-të, kur Cho Gue-sung u gjend përballë Raul Rangel, por portieri meksikan bëri një ndërhyrje fantastike dhe shpëtoi skuadrën e tij.
Pas këtij rezultati, Meksika kryeson grupin me gjashtë pikë dhe e ka siguruar matematikisht kualifikimin në fazën e eliminimit direkt, ndërsa Koreja e Jugut mbetet e dyta me tre pikë.














