Debate mes ish-presidentit Ilir Meta dhe gjykatës, si dhe deklaratat e prokurorit të SPAK, kanë shoqëruar seancën e gjykimit në themel ndaj ish-presidentit.
Prokurori Sotir Kllapi ka paraqitur të dhëna për kontratat e lobimit në SHBA dhe episode të tjera të hetimit.
Sipas Kllapit, kontrata e lobimit të LSI-së me kompaninë GSIS është raportuar në sistemin amerikan FARA. Prokurori deklaroi se nga shuma totale prej 416 mijë dollarësh, LSI kishte paguar përmes tre faturave vetëm 93 mijë dollarë.
Gjatë seancës, Ilir Meta kërkoi të merrte fjalën.
“Në SHBA raportohen kontratat e lobimit në faqen FARA. Aty raportohet edhe kontrata e lobimit me GSIS, ku ka rezultuar se nga tërësia e shumës prej 416 mijë dollarësh nga LSI ishin paguar, me tre fatura, vetëm 93 mijë dollarë. Nga ana e kompanisë është raportuar se, në kohë të ndryshme, e ka pritur z. Meta për takimet që do të zhvillonte. Kompania ka vënë në dispozicion të gjitha faturat. Marrëveshja ishte firmosur nga Petrit Vasili.
Kemi dërguar letërporosi dhe kemi kërkuar një pjesë të llogarive të Ardian Shatkut dhe nga aktet e ardhura ka rezultuar që, në nënkuadër të marrëveshjes me GSIS, i ka faturuar LSI-së 18 fatura. Nga tërësia e dokumentacionit bankar rezulton që tre fatura ishin paguar nga llogaritë e LSI-së, të tjerat deri te fatura numër 12 janë paguar nga Ardian Shatku dhe kompanitë e tij. Për tre nuk dimë asgjë.
Zoti Meta ka qenë disa herë në SHBA, ndonëse ka pasur vizita zyrtare në SHBA që kanë qenë jashtë axhendës. Dhe këto takime janë raportuar si shërbime nga GSIS. Duke qenë se ai gjatë hetimeve ka thënë: “Ç’punë kam unë me pagesat e Shakut”, ne themi që ai ka vazhduar të marrë shërbime dhe, në këto rrethana, mendojmë që është fshehur origjina e shumave monetare që janë pastrim. Ofrimi, siç e ka bërë GSIS shërbimin, është i ligjshëm; mënyra e pagesës është e paligjshme.”, deklaroi prokurori Sotir Kllapi.
Pjesë nga diskutimet në sallë:
Meta: Kam një pyetje.
Gjykata: Do vazhdoni kur të mbarojë prokurori. Mbani shënim.
Meta: Një fjali mund ta them, mos e ndërprit gjykatën. Rregullat kërkojnë të mbarojë prokurori. Kjo bëhet qëllimisht që të konfuzohen mediat.
Gjykata: Ju paralajmëroj.
Meta: Mos më paralajmëro fare, kërkova seancën e kaluar të më japë përgjigje.
Gjykata: Rregullat.
Meta: Rregullat i di mirë unë. Gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme, duhet të marr përgjigje.
Gjykata: Kur flet gjykata…
Meta: Jeni ekstremisht i njëanshëm dhe unë jam këtu si një terrorist ukrainas. Unë nuk e ndërpreva, dëgjova. Më e mira ndër ju është zonja Irena Gjoka.
Gjykata: Kur nuk ruhen rregullat dhe kur personi vijon të prishë rregullin, gjykata ka të drejtë të vendosë gjobë deri në largim nga procesi.
Meta: Kam shumë respekt për rregullat tuaja edhe për ligjin, por ka edhe logjikë. Përderisa prokurori flet për një episod, është e drejta ime të jap sqarim për këtë episod.
/Top Channel














