Një artist rus dhe kritik i njohur i presidentit rus Vladimir Putin është vrarë në një sulm që autoritetet polake po e hetojnë si një ekzekutim të mirëorganizuar.
Sipas prokurorëve polakë, viktima është Semyon Skrepetsky, 44-vjeç, i cili u sulmua në një parking të qytetit, vetëm disa qindra metra larg konsullatës bjelloruse. Sipas hetimeve paraprake, ai u qëllua pesë herë në kokë, gjoks dhe shpinë nga dy persona të armatosur.
Një zëdhënës i prokurorisë në Lublin deklaroi se autorët iu afruan viktimës dhe hapën zjarr ndaj tij. “Kur viktima ra në tokë, njëri prej agresorëve iu afrua dhe e qëlloi edhe tre herë të tjera, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes”, tha ai.
Në vendin e krimit hetuesit gjetën pesë gëzhoja dhe një plumb të shkrepur nga një pistoletë 9 milimetërshe e tipit Luger.
Pak minuta pas ngjarjes, policia polake arrestoi dy shtetas bjellorusë, të moshave 33 dhe 37 vjeç, pranë konsullatës së Bjellorusisë në qytet. Megjithatë, autoritetet theksojnë se hetimet janë ende në fazë të hershme dhe roli i tyre në vrasje mbetet për t’u përcaktuar.
Skrepetsky ishte i njohur për karikaturat satirike që realizonte ndaj figurave të rëndësishme politike, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, presidentin bjellorus Alexander Lukashenko dhe liderin çeçen Ramzan Kadyrov.
Sipas mediave polake, artisti ishte vendosur në Biała Podlaska në vitin 2021, pasi ishte larguar nga vendlindja e tij. Vrasja e tij ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi motivet e krimit, ndërsa autoritetet polake po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.














