Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zbuluar prova të reja në hetimin ndaj punonjësit të Policisë, Ajdin Islamaj, ish-Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Sipas AMP-së, në një pronë në emër të babait të tij, ku banon edhe Islamaj, është ndërtuar pa leje një kat shtesë mbi një godinë ekzistuese dykatëshe, si dhe janë kryer punime të tjera për ta përshtatur objektin për aktivitet hotelerie.
Ekspertiza teknike ka konfirmuar se bëhet fjalë për një ndërtim të ri, për të cilin kërkohej leje ndërtimi, ndërsa nga verifikimet nuk rezulton të jetë lëshuar një leje e tillë.
Nga hetimet ka rezultuar se sipërfaqja e ndërtuar pa leje është të paktën 159 metra katrorë dhe përdoret si hotel.
Sipas AMP-së, analizat e pamjeve satelitore tregojnë se punimet janë kryer gjatë vitit 2025, periudhë kur Ajdin Islamaj ushtronte detyrën në zonë.
Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.














