Pronari i Fish City, Gjergj Luca, ka publikuar së fundmi pamje nga një kantier ndërtimi në pronësi të tij, ku shihen dy persona të mitur duke kryer punë me hekur.
Pamjet tregojnë se të miturit nuk janë të pajisur me mjete mbrojtëse dhe nuk duket të ketë mbikëqyrje profesionale duke ngritur pikëpyetje serioze mbi respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Punësimi i fëmijëve mbi 16 vjeç nuk është i ndaluar në Shqipëri.
Megjithatë, Kodi i Punës e ndalon angazhimin e tyre në punë të rënda, punë në temperatura të larta apo të ulëta dhe punët që kërkojnë pozicione apo lëvizje të detyruara të trupit.
Për mbrojtjen e të miturve Kodi i Punës dhe një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2017, vendosin rregulla shtesë për punëdhënësit si dhe nuk lejojnë angazhimin e tyre më shumë se 6 orë në ditë.
Duhet theksuar se ky rast nuk është i izoluar në kompaninë e Gjergj Lucës.
Në qershor të vitit 2022, ai publikoi një video ku shiheshin disa gjimnaziste duke punuar në fabrikën e përpunimit të karkalecave në Elbasan, së bashku me nënat e tyre. Ai e paraqiti këtë si një formë edukimi, duke thënë se fëmijët duhet të kuptojnë “si fitohet leku”.
Pas inspektimit të fabrikës, Inspektorati Shtetëror i Punës deklaroi se nuk kishte konstatuar shkelje të ligjit. Sipas institucionit, puna e kryer nga gjimnazistet nuk rrezikonte shëndetin apo zhvillimin e tyre.
Megjithatë organizatat e shoqërisë civile kundërshtuan këtë vlerësim. Ata theksuan se pastrimi i karkalecave në temperatura të ulëta dhe qëndrimi i gjatë ulur përbën rrezik për të miturit. Sipas tyre, kjo praktikë bie ndesh me Kodin e Punës dhe me standardet e mbrojtjes së fëmijëve.
Ky episod, i kombinuar me pamjet e fundit nga kantieri i Fish City, ku shihen të mitur duke punuar me hekur, shton dyshimet se praktikat e punësimit të të miturve në aktivitetet e Gjergj Lucës nuk janë të izoluara, por përsëriten.













