Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Sadik Llanin, i dyshuar si autor i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan, ndërsa ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion që do të çojë në lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Policia u ka bërë apel qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi i dyshuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe dyshohet se është i armatosur.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, në rast se e konstatojnë Sadik Llanin ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë për shkak të rrezikshmërisë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 112 ose në numrin e dedikuar 069 41 05 735.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së 27-vjeçarit vijojnë, ndërsa forcat e rendit kanë shtuar masat e sigurisë dhe kontrollet në disa zona të kryeqytetit dhe periferisë së tij.














