Nga Boldnews
Dokumentet zyrtare tregojnë se pronarët e panjohur fundorë të kompanisë “Zvërneci Development Holding”, shoqëria që fitoi të drejtën për ndërtimin e resortit në zonën Nartë-Pishë Poro në Vlorë, e shitën kompaninë tek kompania nga Katari, “Sazan Development Holding”, me aksionerë vëllezërit Mohamad dhe Ramez Al Khayat për rreth 300 mijë euro.
Transaksioni është kryer në 7 maj 2026, ndërkohë që kontrata është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në 3 qershor, në momentin kur disa qytetarë po protestojnë kundër asaj që ata e konsiderojnë si shkatërrimi i zonës së mbrojtur, të pelikanit kaçurrel.

Në foto: Kontrata e shitjes së kompanisë “Zvërneci Development Holding” (7 maj 2026)
Në dokumentat e lexuar nga “Boldnews.al” rezulton se kompania “Universal Propreties Project BV”, e regjistruar në Amsterdam të Hollandës, ka lejuar shitjen e shoqërisë bijë të saj në Shqipëri, “Zvërneci Development Holding”, në një mbledhje të jashtëzakonshme, mbajtur në 7 maj 2025 në selinë e saj, në vendin tonë.
Vendimi është miratuar nga znj. Zoya Gourova, përfaqësuesja e Ortakut të Vetëm.
Në të njëjtën ditë është nënshkruar kontrata ndërmjet ‘Universal Propreties Projects” dhe “Sazani Development Holding”, me objekt shitjen e 100 përqind të aksioneve të kompanisë me seli në Shqipëri, “Zvërneci Development Holding”.
Palët kanë rënë dakord që vlera e shitjes të jetë në total 306 mijë euro. Kjo pagesë, sipas dakordësisë mes palëve, do të kryhej brenda 15 ditëve. Pas konfirmimit të transaksionit, “Zvërneci Development Holding” kalon tërësisht në duart e blerësit.

Në foto: Kompania “Zvërneci Development…” u shit për 306 mijë euro
Pronari i ri duket se e ka kryer pagesën, pasi në Qendrën Kombëtare të Biznesit tashmë figuron “Sazani Development Holding” si aksioneri i vetëm i kompanisë me seli në Shqipëri, “Zvërneci Development Holding”.
Në 28 Janar 2025, Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), nën drejtimin e Ramës, ka miratuar disa vendime, ndër të cilët “Resort turistik në Gadishullin e Zvërnecit”, Blloku Rezidencial F1V2, F1V3, F1R6”, me vendndodhje në Pishë Poro-Nartë, Bashkia Vlorë”.
Leja e ndërtimit është lëshuar në favor të kompanisë “Zvërneci South Adriatic Development”. Kompania është krijuar në Gusht të vitit 2024 dhe qëllimi i saj duket se ka qenë pikërisht projekti turistik në Zvërnec.

Në foto: Pamje nga zona e Zvërnecit, Vlorë
Shoqëria “Zvërneci South Adriatic Development” zotërohej deri pak ditë më parë nga një kompani off-shore me seli në Amsterdam, “Universal Properties Projects BV”.
Sipas të dhënave të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, kishte si pronar fundor të dukshëm, me mbi 25 përqind të aksioneve, Nikita Maximovich Vinogradov, një 33-vjeçar rus, si edhe nga 35-vjeçarja bullgare, Zoya Georgieva Gyurova. Ndërkohë, kompani ka edhe pronarë të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë zbuluar, pasi kanë më pas se 25 përqind të aksioneve.
Bashkëpronarja bullgare, Zoya Gyurova rezulton edhe si përfaqësuese e “Universal Properties Project” në shitjen e “Zvërneci Development” tek “Sazani Development Holding” e dy vëllezërve nga Katari.
Ndërkohë, dokumentat tregojnë se Mohamad Moataz Ruslan Al Khayat dhe vëllai i tij, Ramez Ruslan Al Khayat e kanë regjistruar kompaninë e tyre “Sazani Development” në 27 Tetor 2024, në “Regus Bussines Center”, në kryeqytetin Doha të Katarit.

Në foto: Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat
Referuar të dhënave të Regjistrit të Biznesit, kjo kompani është me afat skadence në 31 Dhjetor 2026. Megjithatë, sipas legjislacionit të atij vendi, afati i vlefshmërisë së shoqërisë mund të shtyhet.
Edhe “Sazan Development Holding”, në 7 maj 2026, ka mbajtur një “mbledhje të jashtëzakonshme”, në të cilën është miratuar blerja e kompanisë në Shqipëri, “Zvërneci Development Holding”.

Në foto: Vendimi i “Sazan Development Holding” për blerjen e “Zvërneci Development…”shpk
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se investimi në Zvërnec përfshin ngritjen e një resorti elitar dhe vlera e projektit përllogaritet në rreth 4 miliardë euro.
Megjithatë, ai ka këmbëngulur se ende nuk është miratuar projekti përfundimtar për atë që pritet të ndërtohet në zonën e lagunës së Vlorës.
Rama këmbëngul se projekti do të bashkëfinancohet nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner, përkatësisht vajza dhe dhëndri i Presidentit amerikan, Donald Trump dhe se është një mundësi e artë për të shndërruar Shqipërinë në një destinacion të rëndësishëm turistik.
Ndërkohë, prej më shumë se një jave, mijëra qytetarë po protestojnë në Tiranë, për ato që i konsiderojnë si praktika jo-transparente të kryeministrit Rama për shkatërrimin e zonave të mbrojtura të pelikanit kaçurrel.














