“Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Europian. Kjo nuk është thjesht një deklaratë politike, por një zgjedhje strategjike që po mbështetet përmes investimeve, bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë”, deklaroi ajo.
Presidentja e Komisionit Europian nënvizoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në merita, por njëkohësisht të jetë më dinamik dhe më i parashikueshëm për vendet që përmbushin detyrimet e tyre.
Sipas saj, kur reformat realizohen, ato duhet të pasohen nga përparim konkret në negociata, akses më i madh në programet europiane, financime dhe integrim gradual në tregun e përbashkët.
Duke folur për afatet e zgjerimit, Von der Leyen u shpreh optimiste se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Europian deri në vitin 2028.
“Shpresojmë që Shqipëria të ndjekë shpejt pas dhe që i gjithë rajoni të afrohet edhe më shumë me Bashkimin Europian. Ne jemi gati të ndërtojmë një komunitet me fat të përbashkët”, tha ajo.
Von der Leyen e përshkroi samitin me dy fjalë: vendosmëri dhe besim, duke theksuar se e ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet sa më shpejt realitet.














