Gjatë një bisede me gazetarë perëndimorë në kuadër të Forumit Ekonomik në Shën Petersburg, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se është i gatshëm t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe gjithashtu të angazhohet në dialog me Europën. Megjithatë, sipas tij, si ndërmjetës mund të shërbejnë vetëm persona ose palë neutrale, “të cilëve mund t’u besohet”. Putini e përjashtoi Gjermaninë nga ky rol ndërmjetësues.

Ai kritikoi Gjermaninë dhe Europën për furnizimin e Ukrainës me armë, duke i cilësuar ato si jo neutrale. “Ndërmjetësimi kërkon neutralitet. Ku është këtu neutraliteti?”, pyeti kreu i Kremlinit. Sipas Putinit, kushdo që dëshiron të veprojë si ndërmjetës duhet të gëzojë besimin e të dyja palëve në konflikt. “Si mund t’u besojë Rusia njerëzve që prej vitesh flasin pa pushim se Rusisë duhet t’i shkaktohet një humbje strategjike?”, tha ai.
Marrëveshjet e panjohura me Trumpin
Putini këmbënguli në kërkesën e tij për kontroll të plotë rus mbi rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut si kusht paraprak për arritjen e paqes në Ukrainë. Sipas tij kjo kërkesë nuk bie ndesh me gatishmërinë e shpallur për dialog. Putini theksoi se “ne jemi pa dyshim të gatshëm të arrijmë një marrëveshje me Ukrainën!”. Megjithatë, sipas kreut të Kremlinit, baza për një marrëveshje të tillë janë marrëveshjet e arritura në Anchorage. Ai shtoi se nëse edhe pala ukrainase pajtohet me këto marrëveshje, të cilat nuk i specifikoi më tej, konflikti mund të përfundojë shpejt.
Presidenti amerikan Donald Trump u takua në qytetin Anchorage të Alaskës me Putinin verën e kaluar. Megjithatë pas atij takimi nuk u bënë publike rezultate konkrete.
Putin: Nuk jemi kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE
“Ne jemi plotësisht të gatshëm dhe të vendosur që të arrijmë një marrëveshje me Ukrainën në mënyrë paqësore”, deklaroi Putini. Ai u shpreh gjithashtu lidhur me mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Europian. Sipas tij Rusia nuk ka asgjë kundër idesë së një anëtarësimi të asociuar të Ukrainës në BE, një propozim që, sipas Putinit, është përmendur edhe nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
Moska, tha ai, nuk i kundërshton lidhjet ekonomike dhe integrimin në kontinentin europian. “Ne jemi kundër që Bashkimi Europian të shndërrohet në një bllok ushtarak”, deklaroi Putini, duke shtuar se një zhvillim i tillë ngjall shqetësime në Rusi./DW













