Rasti i trajtuar këtë të mërkurë, më 3 qershor, në emisionin “Stop” ka të bëjë me një problematikë të transmetuar më datë 5 maj, ku qytetarja Gresilda Malecaj në Lezhë, me ndihmën e “Stop”, mundi të pajiset me certifikatë pronësie për dy dynymë ullishte në dhjetor 2025.
Por më pas ajo u përball me vështirësi, për ta marrë konkretisht pronën e saj, të uzurpuar nga dy shtetas, Gjergj dhe Saimir Simoni, të cilët jo vetëm kishin ndërtuar banesa në atë zonë, por i kishin legalizuar ato.
Përtej gjurmës së ndërtesave, ata morën në përdorim edhe një pjesë të konsiderueshme të truallit, që i përket zonjës Malecaj.
Situata u përkeqësua, pasi Gresilda u përball edhe me kërcënime, për të mos iu afruar pronës së saj. Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje pa konflikt, Gresilda Malecaj kërkoi ndihmën e Bashkisë Lezhë, për të bërë përcaktimin e saktë të kufijve të pronës, duke kërkuar, që të respektohen edhe banesat ekzistuese.
Megjithëse u ngrit një grup pune dhe u kryen verifikime në terren, në përfundim asaj iu komunikua, se kërkesa nuk ishte e saktë, duke e lënë sërish pa zgjidhje.
Gresilda paraqiti kërkesë të re, dhe pas ndërhyrjes së “Stop”, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u shpreh publikisht, se rasti do të ndiqej deri në fund dhe qytetarja do të marrë atë, që i takon.
Më në fund kjo ndodhi dhe Gresilda falenderon edhe për zgjidhjen finale të caktimit të kufijve të pronës së saj.
“Pas intervistës tuaj, unë arrita më në fund, që të vijnë të vendosin pikiatat. Toka më në fund e lirë dhe unë, në tokën time. Falenderoj shumë emisionin “Stop” , shumë faleminderit për punën, që bëtë!”
/Emisioni STOP














