Kosta Rika ka pritur të enjten pasdite një tjetër grup personash të deportuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes administratës amerikane dhe qeverisë së Kosta Rikës.
Sipas autoriteteve vendase, në vend kanë mbërritur 25 persona, mes tyre 18 burra dhe 7 gra. Deportimi është realizuar pas marrëveshjes së nënshkruar në muajin mars mes administratës së presidentit Donald Trump dhe presidentit të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.
Të deportuarit janë nga vende të ndryshme të botës. Nëntë prej tyre janë shtetas kolumbianë, tetë brazilianë, ndërsa pjesa tjetër përfshin shtetas nga Shqipëria, Argjentina, Mauritania, Nepali, Senegali dhe Kina.
Ky është fluturimi i pestë me të deportuar që Kosta Rika pranon në kuadër të kësaj marrëveshjeje me SHBA-në. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Migracionit dhe të Huajve, gjatë vitit 2026 në Kosta Rika janë deportuar gjithsej 99 persona, ndërsa 25 prej tyre janë larguar tashmë nga territori i vendit.
Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi statusin ligjor apo procedurat që do të ndiqen për personat e mbërritur.














