Një konflikt që ka degraduar në dhunë fizike raportohet të ketë ndodhur këtë të enjte (28 maj 2026), në mbledhjen e Bordit Drejtues të kompanisë “Finman shpk”.
Kjo kompani zotëron shoqëritë “Albstar shpk”, “Manastiri Resort shpk”, “Arena Center shpk”, dhe shumë shoqëri të tjera.
Sipas raportimeve në media, konflikti ka nisur pasi ortaku me shumicën e aksioneve, Idajet Ismailaj së bashku me djalin e tij Florid Ismailaj dhe truprojat e tyre kanë goditur me grushte dhe sende të forta si dhe kanë kërcënuar me jetë djalin e ortakes tjetër të shoqërisë Sokol Agalliu.
Raportohet se përplasja mes ortakëve ka lindur pasi Sokol Agalliu i ka akuzuar Idajet Ismailajn dhe djalin e tij për vjedhjen e 500 milionë lekëve të tjera nga arka e kompanisë.
Po ashtu, Agalliu mësohet se pretendon se ka zbuluar se Idajet Ismailaj dhe djali i tij kanë përvetësuar edhe 750 m2 te Manastiri Resort.
Mësohet se aktualisht Sokol Agalliu ndodhet në urgjencën e një spitali privat në Tiranë, në gjendje të rëndë për shkak të goditjeve që ka marrë.
Akuzat për Pikën e Voçkël të Kumbaros:
Një nga vendimet e shumë diskutuara ka qenë leja që ka dhënë ish-ministrja, Mirela Kumbaro, për ndërtimin e “Resort Manastirit” nga kompania “AlbStar” e Idajet Ismailajt, brenda zonës së Mbrojtur të Parkut të Butrintit.
Me një vendim të beftë, në vitin 2021 Kumbaro dha shumë lehtë firmën që gjiri i Manastirit, në hyrje të zonës së Ksamilit, të hiqej nga zona e mbrojtur, ku më pas Këshilli Kombëtar i Territorit dha lejen për resort.
Projekti u kundërshtua me forcë në atë kohë, teksa vetë Kumbaro në një interpelancë në Kuvend tha se “projekti është një pikë e voçkël”. Por, “pika e Kumbaros” sa vjen dhe zgjerohet dhe zmadhohet.
Sipas dokumenteve të KKTU, të miratuara në vitin 2024, në harta duket mjaft qartë se “pika” është shumëfishuar, çka ka sjellë që i gjithë ai investim në pronë publike të jetë shumë i diskutuar. Po sipas dokumentave, projekti është zgjeruar disa herë, duke e bërë “pikën e vogël” të Kumbaros në një resort gjigant.

Zvogëlimi i Parkut
Në 26 Janar të vitit 2022, Këshilli i Ministave miratoi vendimin për të zvogëluar me rreth 800 hektarë Parkun e Butrintit. Në këtë hapësirë të shkëputur nga Parku përfshihet edhe territori ku u vendos të ndërtohej investimi strategjik “Manastiri Resort”.

Për zbatimin e këtij projekti, u krijua shoqëria “Manastiri Resort”, i përbërë nga bashkimi i “Finman” shpk, një kompani në pronësi të Sadik e Idajet Ismailaj dhe “Andi” shpk, në pronësi të Andi Gjiknurit.
Shoqëria “Manastiri Resort” u krijua me një marrëveshje që mban datën 16 nëntor 2021, pra vetëm dy javë para se Komiteti i Investimeve Strategjike të miratonte statusin e “investitorit strategjik” për këtë projekt.
Rreth një vit pas këtij bashkimi, kompania e Gjiknurit vendosë të largohet nga investimi, duke i shitur aksionet e saj tek “Finman”. Vlera e këtij transaksioni nuk është publikuar në kontratat e depozituara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Ndërtimet e resorteve turistike apo zhvillimet ndërtimore masive në zonat bregdetare ishin paralajmëruar nga 25 organizata mjedisore dhe 4 profesorë të shkencave të natyrës që kur u rishikua harta e zonave të mbrojtura për disa parqe në janar të vitit 2022.
Përmes një reagimi të përbashkët organizatat më të mëdha mjedisore në vend dhe profesorët e shkencave të natyrës pohuan se “me rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura ‘fshihen’ zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, sipërfaqe habitatesh të mbuluara nga parqe industriale”.
Sipas tyre, “Hapja e rrugës për këto projekte do të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme këto zona”.
E, megjithatë, përtej shqetësimit të ambjentalistëve, projekti për betonizimin e Plazhit të Manastirit po vazhdon pa ndalur. Faktet tregojnë një krim të tmerrshëm mjedisor, korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa dyshohet se përmes ndërtimeve në zona të mbrojtura pastrohen para.
Oktapodi i kompanive dhe përfitimeve
Sadik e Idajet Ismailaj janë pronarë të kompanisë Motus, me administrator Elton Hoxha.
Me anë të kompanisë Motus kontrollojnë kompanitë Finman dhe Prodev me administratorë Elton Hoxha dhe Fesbian Myftari.
Me anë të kompanisë Finman, Sadik e Idajet Ismailaj kontrollojnë kompanitë Alb – Star, Vibtis, IR, Arena S&P, AM Rentals, ASAB, Balkansca Finman, ANGS, AOS, Manastiri Resort, Fintrade, APM etj., që të gjitha përfituese të koncensioneve, tenderave, lejeve për kulla dhe resorte, në mënyrë të dyshimtë dhe në dëm të interesit publik.
Mbi 100 milionë euro tendera
Idajet Isamilaj, i njohur si mik i qeverisë, Meta- Nano-Berisha-Rama, me anë të kompanisë Alb Star, ka përfituar mbi 100 milionë euro tendera publikë, me hije të forta korrupsioni dhe klientelizmi. Mbi 60 milionë euro i kanë përfituar vetëm nga ARRSH dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku në disa raste kanë mashtruar me zbatimin e kontratave.
Përmes kompanisë Alb Star, Sadik e Idajet Ismailaj kanë marrë koncensionin e dyshimtë të transportit hekurudhor në linjat Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë si dhe disa hidrocentrale mbi lumin Shushicë (HEC Drashovicë, HEC Kote, HEC Gjorm dhe HEC Brataj).
LEXO EDHE:
“Pika e voçkël” e Kumbaros, gjiri i Manastirit u betonizua nga oligarkët Sadik e Idajet Ismailaj
Ja sa e ka zgjeruar Idajet Ismailaj i “Albstar” ‘pikën e voçkël’ të Kumbaros në plazhin e Manastirit














