Një qytetar ka denoncuar një situatë shqetësuese që po ndodh shumë pranë qendrës së Shijakut, ku mbeturinat janë grumbulluar prej kohësh duke krijuar një pamje skandaloze dhe një rrezik serioz për banorët e zonës.
Në pamje shihen qartë pirgje të mëdha mbetjesh të hedhura anash rrugës, ndërsa një pjesë e tyre kanë përfunduar edhe në mes të rrugës, duke e bërë pothuajse të pamundur lëvizjen normale të qytetarëve dhe automjeteve.
Era e rëndë dhe papastërtia, sipas banorëve, janë kthyer në shqetësim të përditshëm.
Qytetari që ka dërguar videon kërkon të mbetet anonim dhe shprehet i revoltuar me neglizhencën e institucioneve lokale:
“Përshëndetje JOQ, në këtë video shihet gjendja katastrofë pak metra larg qendrës së Shijakut. Anonim ju lutem. Viti 2026 dhe kjo është bashkia e Elton Arbanës. Mbeturinat janë bërë si mal, të pambledhura, janë derdhur në rrugë dhe s’ke ku të kalosh.”
Banorët thonë se situata është përkeqësuar ditët e fundit dhe akuzojnë institucionet për mungesë totale reagimi, pavarësisht ankesave të vazhdueshme. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin e zonës, pasi frikësohen se temperaturat e larta mund ta kthejnë vendin në vatër infeksioni.














