Agjentë të Njësisë Qendrore Operative (UCO) të Gardës Civile kanë hyrë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në selinë federale të Partisë Socialiste (PSOE) në Madrid, me urdhër të Gjykatës Kombëtare, për të sekuestruar dokumente që lidhen me hetimin ndaj ish-anëtares së partisë, Leire Díez.
Sipas mediave spanjolle, përfshirë El País, operacioni është urdhëruar nga gjyqtari Santiago Pedraz dhe përfshin një seri kontrollesh dhe veprimesh hetimore në disa pika të ndryshme.
Krahas selisë së PSOE-së në rrugën Ferraz, agjentët kanë ushtruar kontrolle edhe në banesat në Madrid të ish-zyrtarëve socialistë Gaspar Zarrías dhe Santos Cerdán, si dhe në pronën e biznesmenit Javier Pérez Dolset, të gjithë të përfshirë në hetim.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çështja lidhet me dyshime për pagesa të dyshimta dhe financime të paligjshme, si dhe me hetime për të ashtuquajturat veprime “ndërhyrëse” ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në kuadër të operacionit, pritet që autoritetet të marrin në pyetje disa persona të përfshirë në dosje.
Nga ana e saj, zëdhënësja e PSOE-së, Montse Mínguez, ka kërkuar qetësi dhe ka deklaruar se partia do të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë, duke theksuar se çdo informacion i kërkuar do të dorëzohet.
Hetimi, sipas burimeve juridike, përfshin edhe një skemë të dyshuar korrupsioni që dyshohet se ka funksionuar mes viteve 2021–2023, përmes pagesave të paligjshme dhe komisioneve.
Në qendër të saj dyshohet se qëndrojnë Leire Díez, ish-kreu i SEPI-së Vicente Fernández Guerrero dhe biznesmeni Antxon Alonso, të cilët komunikonin përmes një grupi WhatsApp të quajtur “Hiruro”.














