Problematika e transmetuar në emisionin “Stop”, mbrëmjen e sotme, më 26 maj lidhet me situatën e pastrimit urban në qytetin e Kuçovë, i cili është lënë në mëshirë të fatit.
Një monitorim në terren tregon, se sapo largohesh nga qendra, panorama ndryshon ndjeshëm: mungojnë koshat e vegjël, ndërsa shumë prej kazanëve janë të amortizuar.
Në disa raste, mbetjet mbeten të shpërndara, duke krijuar një pamje të papërshtatshme për qytetin. Që prej vitit 2019, pastrimi i Kuçovës kryhet nga kompania Viola Green sh.p.k., e cila ka fituar tenderin.
Sipas avokatit Arben Llangozi, ky proces shoqërohet me konflikt interesi, pasi administratori i kompanisë, Sherif Kapllani, është i afërm i ish-kryetarit të bashkisë, Selfo Kapllani. Ai pretendon gjithashtu, se gjatë procedurës së tenderimit, janë konstatuar parregullsi, përfshirë përjashtimin e një firme tjetër nga gara, por pa sjellë ndryshim në rezultatin final.
Situata është përkeqësuar pas rizgjedhjes së kompanisë në vitin 2023. Sipas burimeve, punëtorët përballen me vonesa në paga dhe presion, për të mos ngritur shqetësime, ndërsa një nga ortakët e kompanisë raportohet të jetë nën masë arresti.
Nënkryetari i bashkisë Erald Shushari shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, ndërsa në përgjigjen zyrtare, bashkia pranoi, se kontrata me kompaninë lidhet me periudhën, kur drejtimin e kishte Selfo Kapllani, por mohoi ekzistencën e konfliktit të interesit, duke argumentuar se administratori në atë kohë ishte një tjetër person.
Për sa i përket transparencës, bashkia deklaroi se dokumentacioni i monitorimit është shumë voluminoz për t’u vënë në dispozicion.














