Rasti i trajtuar këtë të mërkurë, më 13 maj, në emisionin “Stop”, në Tv Klan, lidhet me denoncimin e një qytetareje ndaj Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Gjirokastër, duke pretenduar se prej rreth 10 vitesh nuk regjistrohen dëshmitë e trashëgimisë për një pasuri familjare.
Sipas saj, bëhet fjalë për mbi 600 hektarë pyll dhe rreth 900 hektarë kullota në Pogon, përfshirë fshatin Çatistër dhe zonat malore përreth. Pasuria rezulton e pajisur me certifikatë pronësie në emër të babait dhe xhaxhait të saj. Pas vdekjes së babait në vitin 2016, trashëgimtarët kanë hasur pengesa të vazhdueshme për regjistrimin e dëshmive të trashëgimisë.
Qytetarja me emrin Fatbardha thotë se, pavarësisht certifikatave ekzistuese, trashëgimtarët e tjerë nuk kanë mundur të finalizojnë regjistrimin, duke rrezikuar të ardhmen e pronës.
Sipas saj, ish-drejtori i ASHK Gjirokastër, Florian Taci, më herët kishte pretenduar se familja nuk kishte të drejta mbi pronën, por në takimet e mëvonshme është pranuar se prona u përket dhe se problemet janë “teknike”.
Avokati Arben Llangozi e ka cilësuar mosregjistrimin e dëshmive të trashëgimisë si shpërdorim detyre, duke theksuar se kjo sjell bllokim të të drejtave pronësore të qytetarëve.
Nga ana tjetër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka argumentuar se vonesat lidhen me mbivendosje pronash me pretendime të Bashkisë Dropull, si dhe me procedime penale dhe hetime nga Avokatura e Shtetit.
Drejtoria vendore ASHK Gjirokastër:
Roja: Mirëmengjesi! Nuk ka takime. Është e ndaluar. Nuk lejohet hyrja në institucion, nga Drejtoria e Përgjithshme.














