Nga Boldnews.al
Emërimi i Erion Riçkut në krye të Doganës së Tiranës është një skandal dhe në shkelje flagrante ligjore. Për momentin, nuk është e qartë nëse Riçku ka mashtruar intitucionin apo eprorët e tij kanë mbyllur tërësisht sytë, por faktet tregojnë se ai është caktuar në detyrë, në kushtet e konfliktit të interest.
Në 17 Shkurt 2026, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, organizoi një ceremoni të posaçme për emërimin e Riçkut në një prej doganave më të rëndësishme në vend.
Sipas kronikave të asaj dite, Beja e cilësoi doganën e Tiranës si “fytyrën e administratës doganore. Mënyra si funksionon dhe si sillet me biznesin dhe qytetarët reflekton drejtpërdrejt imazhin e institucionit tonë”.

Nëse u përmbahemi deklaratave të Besmir Bejës, atëherë emërimi në shkelje të ligjit i Erion Riçkut përbën “fytyrën e vërtetë” të Administratës Doganore Shqiptare.
“Boldnews.al” bëri një verifikim mbi drejtorin e ri të Doganës së Tiranës, nga ku rezultoi se ai është njëkohësisht edhe aksioner me 15 përqind në shoqërinë “Risku” shpk. Aksionerët e tjerë janë të gjithë familjarë të kryedoganierit të Tiranës.
Nga verifikimi fillestar, rezultoi se subjekti tregtar kishte aktivitet “Import eksport, shit-blerje me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm, tregtim materialesh ndërtimi, pajisje elektro-shtëpiake, elektrike, higjeno-sanitare, ushqimore, automjetesh të çdo lloji, etj”.
Siç konstatohet, objekti kryesor i aktivitetit është “import-eksport…”, një veprimtari që lidhet me fushën e veprimtarisë së Administratës Doganore.

Ligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave…”, parashikon ndalime strikte për punonjësit e administratës doganore.
“Zyrtari i organit doganor nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital në shoqëritë tregtare, që kryejnë veprimtari import-eksporti”, thuhet në nenin 32 të atij ligji.
Po ashtu, kuadri ligjor parashikon se zyrtari ka afat 30-ditor për të zgjidhur konfliktin e interesit, si edhe për të plotësuar një dokument “Autorizim”, në të cilin ai/ajo vetëdeklarohet se nuk është në kushtet e shkeljes ligjore.
Në rastet kur zyrtari nuk respekton afatin 30-ditor, si për zgjidhjen e konfliktit të interesit, ashtu edhe për plotësimin e Autorizimit, penaliteti është një dhe i prerë: Largim i menjëhershëm nga detyra.
Bazuar në këto përcaktime ligjore, kryedoganieri i Tiranës, Erion Riçku, dukej se ishte në kushtet e konfliktit të interesave, pasi ai rezultoi se ka aksione në kompani që ka si objekt të saj aktivitetin e “import-eksportit”.
Gjithësesi, për të sqaruar sa më plot situatën, “Boldnews.al” i drejtoi Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave një kërkesë për informacion, në 9 Prill 2026, rreth dy muaj pas emërimit të Riçkut.
Redaksia kërkoi informacion zyrtar nëse Erion Riçku e kishte plotësuar “Autorizimin”, nëse kishte vënë në dijeni eprorët për situatën e konfliktit të interesave dhe a kishte marrë masat për zgjidhjen e situatës brenda afatit 30-ditor.
Administrata Doganore refuzoi të jepte përgjigje brenda afatit ligjor 10-ditë dhe, me këmbëngulje, vijon të mos ketë asnjë reagim, pavarësisht një “rikujtese” të redaksisë, kur ka kaluar më shumë se një muaj nga “kërkesa për informacion”.
Por, heshtja e Drejtorisë së Doganave nuk duket se ka qenë thjesht një neglizhencë institucionale. Me shumë mundësi, ka qenë një fitim kohe, për t’i lejuar Erion Riçkut të “rregullonte” sa më shumë letrat.
Në 15 Prill 2026, vetëm 6 ditë pas kërkesës së detajuar për informacion të “Boldnews.al”, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dorëzohet një vendim nga “Risku” shpk.
Sipas vendimit, ortakët vendosin që në objektin e veprimtarisë së subjektit tregtar, të heqin “import-eksportin”.

Nuk mund të thuhet me siguri se kjo lëvizje e kompanisë është një lloj reagimi ndaj kërkesës së redaksisë. Por, ajo që mund të thuhet me siguri është fakti që Erion Riçku nuk e ka zgjidhur konfliktin e interesave në kohë.
Ndryshimi i objektit të veprimtarisë së “Risku” shpk është kryer plot dy muaj pas emërimit të tij në detyrë, pra përtej afatit 30-ditor që përcakton ligji për zgjidhjen e konfliktit të interesave.
Në këto kushte, kryedoganieri Besmir Beja duhet të kishte nënshkruar largimin e tij nga detyra. Por, në të kundërt të parashikimeve ligjore, Erion Riçku vijon të jetë ende drejtues i Doganës së Tiranës.














