Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar kontrolle në tre institucione të vuajtjes së dënimit, ndërsa janë sekuestruar mjete komunikimi dhe sende të tjera të palejuara.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet u kryen nga forcat operacionale të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve në Fier, Vlorë e Peqin, dhe kishin si fokus evidentimin dhe goditjen e sendeve të ndaluara brenda ambienteve të burgjeve.
Gjatë operacionit u konstatuan dhe u sekuestruan aksesorë mjetesh komunikimi që përbëjnë vepër penale, mjete prerëse të improvizuara, si dhe sende të tjera të palejuara dhe të tepërta. Bie në sy dhe futja e disa kolltukëve që përdoren për ambiente jashtë banesave.
Edhe pse autoritetet e paraqesin aksionin si sukses, fakti që sende të tilla gjenden brenda burgjeve ngre dyshime serioze mbi mënyrën se si ato futen dhe qarkullojnë në ambiente që duhet të jenë nën mbikëqyrje të rreptë.
Telefonat, mjetet prerëse apo mobiliet nuk janë objekte që mund të kalojnë pa u vënë re, çka shton pikëpyetjet për përgjegjësitë brenda sistemit.














