Konfliktet, dhuna, abuzimet dhe mashtrimet po gjenerojnë më shumë krime në Shqipëri. Vetëm vitin që lamë pas, në vendin tonë janë regjistruar 17,4% më shumë vepra penale krahasuar me vitin 2024, ku një rritje domethënëse ka edhe përndjekja.
“Viti 2025 ka regjistruar afro 70% më shumë vepra penale përsa i përket përndjekjes. Për avokatët e çështjeve penale dhe civile, këto rritje lidhen më së shumti me denoncimet e grave dhe vajzave nga konfliktet që lindin në rrjetet sociale”, raporton tvklan.
“Një fenomen i përhapur është për arsye të rrjeteve sociale. Për të rritur ndjekësit në rrjetet sociale, hyjnë në komunikim me persona të ndryshëm pa njohje dhe në komunikim e sipër përfitojnë nga njëri-tjetri. Në momentin që acarohet komunikimi, zakonisht vajzat apo femrat për shkak të presionit detyrohen të bëjnë kallëzime për përndjekje, duke paraqitur pamje, foto, mesazhe në organet e policisë. Përndjekja është e lehtë për t’u provuar nga policia. Përndjekja bëhet gjithmonë për qëllime përfitimi. Minimumi është 1 vit, nëse ndodh në rrethana të ndryshme”, thotë avokati Lefter Xhengo.
“Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se në vend të dytë si veprat që kanë numrin më të lartë të rasteve gjatë vitit 2025 janë krimet kundër shëndetit. Këto krime kanë shënuar një rritje me 27% më shumë se viti paraardhës”.
“Vepra penale kundër shëndetit ka të bëjë me vrasjen e mbetur në tentativë, vrasjen me dashje, apo plagosje të rëndë ose të lehtë, këto të fundit ndiqen në gjendje të lirë. Përsa i përket shëndetit, ka të bëjë edhe me braktisjen e fëmijëve të mitur për t’i nxjerrë për të lypur dhe këta vijnë nga komunitete të caktuara”, shprehet avokati Xhengo.
Gjatë vitit 2025 raportohen mbi 45 mijë autorë të dyshuar të veprave penale, ku mbi 93% e tyre janë meshkuj të moshës 30-44 vjeç. Si pasojë e veprave penale, afro 20 mijë persona kanë mbetur të dëmtuar.














