Në janar 2025 transmetuam një denoncim të zotit Feriz Lami nga Laçi, pasi në korrikun e vitit 2024, i biri, Fatjon Lami, 38-vjeçar, humbi jetën, pasi u ndje keq, teksa vadiste misrin.
I riu shfaqi probleme shëndetësore, që i atribuohen një infeksioni nga minjtë. Sipas familjarëve, ai u pranua së paku tre herë nga urgjenca e spitalit të Kurbinit, ku kreu disa trajtime pa asnjë ekzaminim mjekësor.
Më pas u dërgua në Infektivin e Tiranës me vonesë, në gjendje kome, ku fatkeqësisht humbi jetën. Ferizi tha se të birit i bënë vetëm serume dhe temperatura nuk i binte. Ndërkohë, një tjetër banor i zonës, që u kurua në kohë, sot është në jetë.
Agron Lala, shefi i Urgjencës në Laç, pranoi se për rastin e të ndjerit është neglizhuar.
Jemi rikthyer të flasim për këtë rast, pasi prokurori i Lezhës, Arben Nika, njoftoi përfundimin e hetimeve për ngjarjen.
Hetimi është bazuar në materialin e transmetuar në emisionin “Stop” dhe akuzon për neglizhencë në trajtimin mjekësor dy mjekë të spitalit të Laçit, Aleksandër Isufin dhe Gëzim Sinanajn, të cilët rrezikojnë dy vjet burg secili.
Denoncuesi Feriz Lami shprehet i lehtësuar me këtë përfundim.












