Shtatë zyrtarë të Komisariatit të Policisë në Peqin janë përjashtuar përfundimisht nga radhët e Policisë së Shtetit pas një hetimi disiplinor që evidentoi shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës.
Zyrtarët e përjashtuar janë Altin Gusho, Danjel Kacaniku, Sefer Dushku, Muharrem Zylyfi, Bilbil Lita, Denis Sinani dhe Arben Koseni, të cilët mbanin funksione të ndryshme brenda strukturës së komisariatit.
Vendimi vjen pas pezullimit të mëparshëm të tyre dhe lidhet me mosmarrjen e masave për kontrollin e territorit.
Nga strukturat e Drejtorisë së Standardeve Profesionale është konstatuar se zyrtarët nuk kanë ushtruar kontrolle të mjaftueshme në zonën që mbulonin, duke lejuar funksionimin e një magazine që dyshohet se është përdorur për kultivimin e kanabisit për më shumë se një vit.
Gjatë verifikimeve janë gjetur sasi të konsiderueshme kërcenjsh të bimëve të drogës, çka ka ngritur dyshime për aktivitet të vazhdueshëm të paligjshëm.
Hetimet mbi këtë çështje vijojnë për të përcaktuar përgjegjësi të tjera të mundshme dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.














